Biznes Albania: Qeveria klientelizëm me tenderët
Për herë të parë në këto vite disa organizata biznesi të bashkuara nën drejtim e “Biznes Albania”, e kanë akuzuar zyrtarisht qeverinë për klienteliste në procedurat e prokurimeve publike. Gjatë mbledhjes së djeshme të Bordit Drejtues të organizatës “Biznes Albania”, presidenti Luan Bregasi tha se prokurimet publike janë bërë akoma më klienteliste dhe pabarazia mes subjekteve që konkurrojnë është thelluar. Prokurimi online duket sikur i ka shmangur procedurat korruptive, por në fakt vetëm sa i ka sofistikuar ato, tha Bregasi. Në takim kanë qenë të pranishëm disa ambasadorë, ndër të cilët edhe përfaqësuesi i Prezencës së OSBE, Eugen Wolfthard. Bregasi në emër të biznesit vendas ka përcjellë shqetësimin e disa fenomeneve politike që kanë acaruar tepër në klimën e të bërit biznes në vend. Së fundi, sipas tij, situata e rënduar politike ka penguar mjaft sipërmarrjet vendase dhe të huaja në investimet e tyre. “Po të ishin marrë vesh ndër vedi me njëri- tjetrin, klasa politike Shqiptare, nuk do të kishte ndodhur 21 Janari dhe për pasojë dhe kosto të larta që shoqëruan punët dhe bizneset tona pas këtyre ngjarjeve,” tha Bregasi. Një nga disfatat e tensionit politik në vend ai cilësoi moskalimin nga Parlamenti të ligjit për gjykatat administrative. “Vendi ynë dhe qeveria jonë ka punuar dhe vazhdon të punojë për krijimin e një klime që nxisin investimet, punësimin, stabilizojnë bizneset e krijuara dhe përpiqen për të krijuar një mjedis komunikues midis biznesit dhe qeverisë.” tha Bregasi. Duhen përmendur si pozitivitet të këtyre viteve përpjekjet për të përmirësuar legjislacionin ekonomik, duke përshtatur atë me atë të BE-së, uljen e taksave dhe tatimeve, heqjen e doganave, lehtësitë në mjaft shërbime që kryejnë bizneset, për licencime të ndryshme, masa që kanë rritur shkallët e lirisë ekonomike në Shqipëri dhe e kanë bërë biznesin dhe sipërmarrjen të besojnë më shumë te vendi i tyre, vënë në dukje përfaqësuesit e biznesit. Po ato konsiderojnë ende si anomali thelbësore moszgjidhjen e çështjes së pronës, mangësi në zbatim të lirive ekonomike për bizneset dhe sipërmarrjet e tyre, mangësi në luftën kundër korrupsionit. Luigj Aleksi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, shtoi se ligji aktual i prokurimeve krijon më shumë hapësira për korrupsion se i mëparshmi, ndaj ligji vetë, apo të paktën udhëzimet në zbatim të tij, duhen ndryshuar. Në emër të Shoqatës së Ndërtuesve, Aleksi përsëriti mbështetjen për nismën për hipotekimin e pallateve të reja, por kërkoi që ndërtuesit të jenë zyrtarisht palë në hartimin e akteve nënligjore të premtuara nga institucionet e përfshira. Ndërsa rëndësi të madhe ka respektimi i ligjit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe për të pasur një proces sa më transparent. Një shembull i rëndësishëm janë tenderët publik apo lejet e ndërtimit, apo koncesionet. Është një listë e gjatë. Rëndësi ka që të jetë një situatë konkurruese dhe ku të gjitha palët të dalin të fituara. Prezenca e OSBE-së, Eugen Wolfthard, i kujtoi biznesit se “si për një individ edhe për një biznes ka rëndësi që të ketë fitime për të mbijetuar dhe për të qenë konkurrues, dhe ky është edhe emri i lojës. Por në afatgjatë, fitimi më i mirë është ai që arrihet në përputhje me Shtetin e të Drejtës”.