Ulja e çmimit të lekut nuk mjafton për të çliruar kredinë
Ekspertët mendojnë se ulja e normës bazë ishte vendimi i duhur, por masa e uljes ishte e pamjaftueshme për t’i dhënë stimulin e nevojshëm ekonomisë. Anastas Angjeli, anëtar i Akademisë së Shkencave, tha dje se Banka e Shqipërisë duhet të tregojë fleksibilitet më të lartë me instrumentet e Politikës Monetare, në mënyrë që këto masa të kenë efekt të ndjeshëm në nxitjen e kredisë dhe në gjallërimin e aktivitetit ekonomik. Sherif Bundo, ekspert i financave, thotë se ndërhyrja e Bankës Qendrore duhej të ishte më agresive dhe më e hershme. Banka e Shqipërisë uli dje normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e kthyer atë në nivelin që ishte gjashtë muaj më parë, 5%. Kjo është norma bazë më e ulët e aplikuar në 20 vjet nga Banka Qendrore dhe synon të nxisë konsumin dhe investimet e brendshme, nëpërmjet uljes së kostos së parasë. Të dhënat më të reja ekonomikë të publikuara një ditë më parë nga Banka e Shqipërisë dëshmojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje gjatë vitit 2011. Aktiviteti ekonomik është mbështetur kryesisht nga shpenzimet publike dhe rritja e eksporteve, ndërkohë që kërkesa e sektorit privat të ekonomisë ka patur një ecuri pozitive të ngadaltë. Konsumi dhe investimet janë mbështetur nga kreditimi i sistemit bankar, por rritja e tyre kushtëzohet nga hezitimi në kryerjen e shpenzimeve. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij vendimi, interesi i marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në nivelin 5.00 për qind. Ulja e normës bazë të interesit reflekton presionet e kontrolluara inflacioniste, pritjet e ankoruara të agjentëve ekonomikë, dhe një politikë fiskale më të kujdesshme gjatë periudhës së ardhshme. Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit, si dhe të nxitë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulimit të konsumit dhe të investimeve në vend.