E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi per gjykaten administrative Fajin e ka politika

Biznesi në vend drejton gishtin mbi forcat politike për më të shumtën e problemeve që ndesh sot. Në të njejtën kohë, për shkak të situatave të krijuara përfaqësues të sipërmarrjeve falenderojnë përfaqësuesit e institucioneve të huaja për ndihmën e dhënë. Në një takim të mbajtur në Tiranë, drejtues të Biznes Albania thanë se zgjidhja e disa çështjeve që varen direkt nga forcat kryesore poltike është mëse e nevojshme.

“Po të ishin marrë ndër vedi vesh me njëri tjetrin klasa politike do të ishte miratuar ligji për krijimin e Gjykatës Administrative, për pasojë mjaft problem që ka biznesi do të ishin zgjidhur më shpejt dhe nuk do të prisnim 3-4 vjet për të zgjidhur cështje administrative në dyert e gjykatave tona. Po të ishin marrë vesh ndër vedi me njëri tjetrin klasa politike shqiptare do të ishte miratuar ligji i amnistisë fiskale i plotë”, tha Luan Bregasi, kryetar i Biznes Albania.

Pasi ka dëgjuar drejtuesit e kompanive të ndryshme, Eugen Wolfarth, i ftuar në tryezë u ka kërkuar biznesve që të mos reshtin së kërkuari të drejtat e tyre.

“Integrimi në BE është një nga qëllimet kyçe për Shqipërinë, mendoj se është e rëndësishme të zgjidhet çështja e Gjykatës Administrative.  Është e rëndësishme gjithashtu të punohet duke respektuar ligjet e standardet për të përmirësuar situatën e luftës kundër korrupsionit dhe për të pasur gjithmonë procese transparente. Përshembull tenderat publik janë një shembull i mirë në këtë rast, apo lejet e ndërtimit dhe koncesionet. Pra është një listë e gjatë shembujsh. Biznesi duhet të jetë i bashkuar, pasi kjo do të ndihmojë në zhvillimin e tij”, tha Wolfarth.

Eugen Wolfarth gjatë muajve të shkuara ka marrë pjesë në disa tryeza të ndryshme me përfaqësues të biznesit në vend. Po kështu ai ka vizituar disa herë biznese dhe linja prodhimi në qytetet të ndryshme të Shqipërisë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›