CEZ Shpërndarje: Vidhen transformatorët, nuk ka mundësi zëvendësimi
Kompania e furnizimit me energji elektrike CEZ Shpërndarje tërhoqi dje vëmendjen e publikut, në lidhje me një problem shumë serioz dhe alarmues, siç është vjedhja e aseteve të shpërndarjes të kompanisë. Burimet zyrtare të kompanisë njoftuan dje se, vetëm gjatë muajit qershor kompanisë i janë vjedhur 14 transformatorë, secili prej të cilëve furnizon me energji elektrike të paktën 100 familje, si edhe disa kilometra kabull elektrik ajror në të gjithë vendin. Zona Veriore është më problematikja: 4 transformatorë janë vjedhur në Rrëshen (Rreps, Orosh, Geziq, Kurbnesh), 4 në Lezhë (Kashnjet, Gjader, Balldre, Kallmet), 2 në Shkodër (Stajke and Velipoje), 1 në Punë (Gjegjan), 1 në Elbasan (Nezhan), 1 në Cërrik (Mollas), dhe 1 në Tiranë (Shën Mëri). Që nga tetori 2010 deri më sot, kompanisë i janë vjedhur 53 transformatorë. Autorët e këtyre vjedhjeve, jo vetëm i kanë shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar, por edhe kanë lënë komunitetet përkatëse dhe klientët e rregullt të CEZ Shpërndarje pa energji elektrike. CEZ Shpërndarje e ka të pamundur të gjejë apo të blejë transformatorë të rinj, për të zëvendësuar transformatorët e vjedhur apo të dëmtuar. Në luftën kundër këtij fenomeni negativ, CEZ Shpërndarje po përdor të gjitha mjetet që disponon, por këto përpjekje nuk mund të sjellin zgjidhje pa ndihmën e organeve të rendit, institucioneve të tjera të shtetit shqiptar, si edhe të komunitetit dhe klientëve të kompanisë. E vërteta është se, vjedhjet e këtyre aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe familjet shqiptare, biznesin privat, si edhe autoritetet lokale, pasi këto vjedhje ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit, planin e investimeve dhe te tarifat e energjisë. CEZ Shpërndarje, në përpjekje për frenimin e këtij fenomeni, kërkon ndihmën dhe mbështetjen e klientëve të saj, duke i inkurajuar ata që janë dëshmitarë të një vjedhjeje, të njoftojnë policinë e rendit apo dispeçerinë e kompanisë. Vetëm duke bashkuar forcat dhe duke bashkëpunuar, ne mund të fitojmë luftën kundër një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë shqiptare.