Bizneset, 61 mijë me 1 të punësuar

Nga konferenca e djeshme e INSTAT, për prezantimin e të dhënave të censusit për ndërmarrjet ekonomike
INSTAT: Të regjistruara 851 ndërmarrje të mëdha, 15 100 kafene e restorante, 7 me xhiro mbi 2.5 mln USD
Censusi: 82 mijë biznese me shërbime, 15 mijë prodhues
Pjesa më e madhe e bizneseve në vend është krijuar pas vitit 2005. Në total, në gjithë Shqipërinë janë 97.436 ndërmarrje. Instituti i Statistikave publikoi dje rezultatet e censusit mbi regjistrimin e njësive ekonomike jobujqësore. Nga sa bëri me dije drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, 50% e bizneseve janë të përqendruara në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Vetëm 851 janë biznese të mëdha, që kanë të punësuar 50 ose më shumë punëtorë. Duket qartë që ekonomia shqiptare tashmë është e zhvilluar dhe e orientuar drejt shërbimeve, pasi 84 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë prodhuese të shërbimeve, tha drejtoresha e INSTAT-it. Sipas saj, 61.000 biznese kanë vetëm një punonjës. Rreth 28.2 për qind kanë nga 2 deri në 4 punonjës. Baret, restorantet, hotelet zënë numrin më të madh të aktiviteteve private, duke zënë rreth 60% të totalit të subjekteve të regjistruara. Rreth 84.5 për qind e ndërmarrjeve kanë një xhiro më të vogël se 5 milionë lekë, 5.2 për qind luhaten nga 5 deri në 10 milionë lekë, ndërsa vetëm 0.9 për qind, ose 7 të tillë, kanë një xhiro më të madhe 2.5 milionë dollarë, tha Nurja. Femrat menaxhojnë 26.4% të ndërmarrjeve. Gjysma e tyre i përkasin aktivitetit tregtar. Ndërkaq, rreth 38.7% e të punësuarave në të gjithë gamën e bizneseve aktive në vend janë femra. Duhet theksuar se pjesëmarrja e tyre në industri dhe shërbime të tjera është në masën 45-48%, tha dje drejtoresha e INSTAT-it. Sipas saj, 2903 ndërmarrje kanë më shumë se një filial, prej të cilëve 70% u përkasin aktiviteteve tregtare apo ofrojnë shërbime të tjera. Të pranishëm gjatë prezantimit të të dhënave të Censusit ishin ministri i Inovacionit dhe TIC, Genc Pollo, si dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi. Ky census jep pasqyrën më të saktë të çka është arritur me djersë, mundime e sakrifica të sipërmarrësve shqiptarë; jep shpjegim pse Banka Botërore na klasifikon me të ardhura të mesme të larta, pse Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë po ngjitet, duke iu afruar vendeve më të pasura të rajonit, tha ministri Pollo. Për herë të parë, nëpërmjet këtij censusi do të krijohet regjistri i ndërmarrjeve lokale, i cili do të shërbejë si një instrument bazë statistikor për organizimin e vrojtimeve ekonomike në nivel rajonal. Kombinimi i të dhënave të censusit të popullsisë dhe banesave, me censusin e ndërmarrjeve dhe atë të bujqësisë, i cili do të realizohet këtë vit, do të krijojë një panoramë të qartë të gjendjes social-ekonomike e demografike të Shqipërisë gjatë këtij viti, por mbi të gjitha, do të krijojë databazën e një sistemi statistikor modern, në përputhje me kërkesat e kohës.

Ndërmarrjet sipas aktivitetit ekonomik dhe madhësisë

Ndërmarrjet sipas xhiros vjetore
Hotelet VIP
Bëjnë pjesë në bizneset VIP. Janë 7 hotele, kafene dhe restorante të regjistruara në të gjithë vendin, të cilat kanë një xhiro më të madhe se 2.5 milionë dollarë. Ato janë të vetmet në Shqipëri që kanë xhiron maksimale. Ndërkohë, 11 të tjera që i përkasin kësaj kategorie kanë një xhiro vjetore 1-2.5 milionë dollarë.
Bizneset e huaja
Rreth 1618 biznese në vend zotërohen nga investitorë të huaj. Ndërkaq, nga numri total i ndërmarrjeve, 94 697 janë shqiptare. Biznese të përbashkëta janë të regjistruara 1121. Mbizotërojnë aksionet e shqiptarëve në 301 prej tyre, ndërsa të të huajve në 820 prej tyre.
Ambasadori i BE: Duhen burime njerëzore
Puna e kryer është e rëndësishme për Shqipërinë, pasi duke pasur një panoramë të saktë të orientimit ekonomik mund të ndërtohen strategjitë e së ardhmes, tha dje ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi. I pranishëm në prezantimin e të dhënave të censusit, ai i vlerësoi rezultatet e projektit. Qëllimi kryesor i censusit konsiston në përmirësimin e drejtimit ekonomik për të pasur një zhvillim ekonomik më të mirë, por për të gjitha këto kërkohen më shumë burime njerëzore, për të pasur edhe një program statistikor më të efektshëm. Censuset e këtij lloji janë bazike dhe krijojnë një panoramë të shoqërisë dhe ekonomisë në vend. Kjo më pas i krijon politikbërësve më tepër mundësi në krijimin e programeve të duhura ekonomike, theksoi Sequi.
ZIRINA LLAMBRO