E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bizneset e bukës, kujdes me çmimet abuzive”

30/06/2010 Konkurrenca paralajmëron prodhuesit për gjoba deri në 10% të xhiros vjetore

Nisma pas takimit me shoqatën e prodhuesve të bukës të qytetit të Korçës

Bizneset duhet të kenë kujdes nga rritja në mënyrë abuzive e çmimeve. Paralajmërimi vjen nga Autoriteti i Konkurrencës pas një takimi të bërë me përfaqësues të shoqatës së prodhuesve të bukës në Korçë. Duke iu referuar këtij rasti, kreu i këtij Autoriteti, Lindita Lati, theksoi dje se do të penalizohen të gjithë shkelësit e ligjit. "Komisioni i Konkurrencës në mbrojtje të ligjit për konkurrencën vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak, pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës, si dhe monitorimin në vazhdimësi të këtij tregu. Duke marr shkas nga kjo ngjarje Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të politikës dhe ligjit për mbrojtjen e konkurrencës kërkon të ndërgjegjësojë të gjitha shoqatat e biznesit, që në veprimtarinë e tyre të mbrojnë interesat e tyre sipas ligjit dhe të mos ndikojnë në aplikimin e praktikave të bashkërenduara apo të koordinuara për rritjen e menjëhershme të çmimeve, për fiksimin e tyre apo për ndarjen e tregjeve", deklaroi Lindita Lati, drejtore e Autoritetit te Konkurrencës. Në kuadër të këtyre rekomandimeve, organizatat e biznesit, duhet të kenë kujdes në disa drejtime në mënyrë që të zbatojnë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Së pari, gjatë shkëmbimit të informacionit ose studimeve të tregut, organizatat e biznesit duhet të kenë kujdes që të mos lejojnë identifikimin e të dhënave konfidenciale që lidhen me ndërmarrjet individuale si çmimi, pjesët e tregut, burimet e furnizimit etj. në mënyrë që të shmangen marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara. Gjithashtu, në rast se anëtarët e organizatave të biznesit arrijnë një marrëveshje, e cila shkel konkurrencën gjatë një mbledhjeje të organizatës si p.sh. fiksim çmimi, fiksim i kuotave të prodhimit fiksimi i kushteve të tregtimit ndarja e tregut, bojkotet në grup, fiksim i çmimit të rishitjes etj, qoftë edhe në mënyrë spontane organizata, drejtuesit e saj dhe anëtarët mund të gjobiten. Në këtë mënyrë, organizatat e biznesit duhet të shmangin çdo lloj deklarate të tillë, si dhe të distancohen kur bëhen deklarata të tilla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›