E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqetësim për kamatat bankare

Objektivat kryesore të Bankës Qendrore të Kosovës janë sigurimi i stabilitetit në sektorin financiar dhe mbështetja e politikave të përgjithshme ekonomike në vend. Këto i tha guvernatori kosovar, Hashim Rexhepi, në një mbledhje të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Myzejene Selmani. Rexhepi dha një pasqyrë mbi veprimtarinë e BQK-së dhe ndikimin e politikave bankare, si shumë të nevojshme për ekonominë kosovare.
Por shqetësimet e këtij komisioni parlamentar ishin të mëdha. Ata kryesisht u ankuan për kamatat jashtëzakonisht të larta që aplikohen nga bankat në Kosovë. Kërkuan nga guvernatori që të merret me këtë çështje.

“Sa është aktuale, aq është e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës ndërtimi i mëtutjeshëm i sektorit financiar të Kosovës”, tha në fillim të fjalës së tij guvernatori Rexhepi.

Në vazhdim, Rexhepi u bëri një përshkrim të gjerë aktiviteteve që ka bërë BQK-ja, duke përshkruar objektivat, të arriturat dhe sfidat e BQK-së.

“Për të realizuar objektivat e veta, BQK-ja përmes ushtrimit të funksionit të saj bën: rregullimin e institucioneve financiare, licencimin e institucioneve financiare, mbikëqyrjen e institucioneve financiare, mirëmban llogaritë e Thesarit dhe institucioneve të tjera të Qeverisë dhe bën administrimin ndërbankar të pagesave”, tha guvernatori Rexhepi.

Duke iu referuar të arriturave të BQK-së, ai përmendi faktin se, në vitin 2009 është shënuar rritje ekonomike prej 3.8 për qind, përkundër krizës globale që është shënuar në shumë vende të botës. Ndërkaq, ndër sfidat që guvernatori vuri në pah ishin mungesa e instrumenteve tradicionale të politikës monetare, nevoja e rishikimit të Ligjit për BQK-në dhe Ligji për AKP-në, çështja e CEFTA-s dhe mungesa e kodit bankar për Kosovën. Anëtarët e Komisionit ngritën një varg çështjesh. Në veçanti shprehën shqetësimin e tyre për kamatat e larta kreditore që ushtrohen në Kosovë dhe Trustin Pensional.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›