E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e vogla: “Qeveria do të na falimentojmë po na taksoi për të mëdhenj”



Ervin KOÇI

Lajmi se shumë prej subjekteve të biznesit të vogël do të ndryshojnë statusin e tyre fiskal duke u klasifikuar si tatimpagues të TVSH-së, ka frikësuar dhe ka vënë në pikëpyetje ecurinë e tyre. Nga një konstatim i bërë dje në teren nga gazeta “Albania” dhjetëra pronarë të subjekteve të vogla janë shprehur të indinjuar për mënyrën e riklasifikimit të statusit të tyre, ose thënë ndryshe për kalimin nga biznese të vogla në të mëdha. Në shumë njësi shërbimesh si bare, kafene, fast-food-e, pastiçeri, markete dhe minimarkete, pronarët e tyre janë shprehur kategorikisht kundër ndryshimit të barrës fiskale, ose pagimit të më shumë taksave në Tatime. “Në jemi klasifikuar si biznes i vogël dhe jemi në vartësi të bashkisë së Tiranës. Nuk kemi pse të ndryshojmë sërish status dhe të paguajmë më shumë taksa pasi puna ka rënë ndjeshëm”, - thotë Drita pronarja e një marketi në lagjen Tirana e Re. Të tjerë biznese shprehen se janë duke u përpjekur të mbijetojnë “në këtë krizë të ashpër”. Sipas tyre, puna dhe xhiro kanë rënë dhe janë vetëm ambientet që të gënjejnë nga pamja e jashtme. “Edhe pse kemi bërë investime në aredimin e lokalit duke marrë kredi, klientët janë po ata dhe puna është e njëjta. Ka shumë lokale, në një kohë që lekët janë pakësuar dhe klientët konsumojnë gjithmonë e më pak”,- thotë Altini, pronari i një bar-kafeje në rrugën “Sami Frashëri”. Por më të shqetësuarit për fatin e tyre janë tregtarët dhe pronarët e dhjetëra dyqaneve ushqimore, që të klasifikuar si markete ose minimarkete, nuk dinë se si do t’u vejë halli pas ndryshimit të ligjit. Ata shprehen se janë ndër të paktat subjekte që për klientët e tyre përdorin kasat fiskale, duke bërë kështu deklarimin real tek tatimet.

Kasa dhe faturat

Bizneset ngrenë disa pikëpyetje rreth përdorimit të kasës dhe lëshimit të faturës. Shumë subjekte private i lëshojnë faturat përmes disa pajisjeve elektronike të miratuara edhe nga Tatimet. Në këtë pikë, ata kërkojnë sqarime nëse është e detyrueshme blerja dhe instalimi i kasës, kur e kanë një pajisje të tillë, të vendosur kohë më parë, para miratimit të ligjit. "Kuponi tatimor lëshohet në çdo rast kur arkëtohen pagesa me para në dorë nga furnizimi i mallrave, apo shërbimeve në njësi të hapura për publikun dhe pavarësisht se shoqëria, e cila ka marrë autorizimin e përdorimit të faturës kompjuterike, apo edhe ajo e cila përdor fatura tatimore të shpërndara nga organi tatimor, është e detyruar të përdorë pajisjen fiskale", i përgjigjet Drejtoria e Tatimeve dilemës për ato subjekte që i kanë në punë pajisjet e blera kohë më parë (për shembull baret, restorantet etj.). Një tjetër sqarim vjen për subjektet që nuk kanë kryer asnjë fitim apo shitje gjatë momentit kur duhet vendosur kasa. Për administratën tatimore është i rëndësishëm fakti se nëse biznesi kryen shitje, ai duhet ta kryejë atë përmes kasës.

Xhiroja e realizuar

Si kriter bazë për kalimin e një subjekti të vogël biznesi në subjekt tatimpagues të TVSH-së, Tatimet kanë përcaktuar xhiron e realizuar nga tatimpaguesi për vitin 2008 dhe ajo e parashikuar për vitin 2009. Xhiroja e realizuar do të sigurohet nga deklarata e paraqitur nga subjekti për vitin 2008, të marra nga organet e pushtetit vendor dhe nga të tretët, nga të dhëna shtesë nga rezultat e kontrolleve tatimore dhe vizitave fiskale. Të gjithë ata tatimpagues që kanë realizuar një xhiro vjetore mbi 7 milionë lekë për vitin 2008, do të bëhen objekt verifikimi në terren doke koordinuar punonjësit e verifikimit në terren dhe të sektorëve të zbatimit për të analizuar kohëzgjatjen për çdo ditë pune në biznesit, madhësinë e njësisë apo të kapacitet mbajtës, vendndodhjen etj.

Pasqyrimi i xhiros

Për pasqyrimin e xhiros së subjekteve të vogla do të analizohet në tërësi mbajtja e dokumentacionit, si libri i blerjeve dhe a është i gjithë malli i justifikuar me fatura tatimore sipas ligjit, a është mbajtur libri i shitjeve dhe a janë përdorur faturat tatimore dhe dëftesat tatimore për shitjen e mallrave dhe shërbimeve. Në bazë të nivelit të korrektësisë së mbajtjes së dokumentacionit nga subjekti, drejtoritë rajonale do të ndërhyjnë në bazë të ligjit me metoda alternative për përcaktimin e xhiros që realizon realisht tatimpaguesi në biznesin e tij. Si kritere plotësuese për këtë do të jenë dhe vlera e aktivitetit, niveli i pagesave dhe blerjeve.

Tabela////////////////////////////
Tatimpaguesit potencialë për kalimin në subjekte TVSH-je (biznes i madh)

1) shërbime hotelerie, argëtuese, sportive, artistike, mediatike elektronike;
2) restorante, bare-kafe, markete, minimarkete, me sipërfaqe mbi 200 metra katrorë, duke përfshirë edhe sipërfaqet ekstra pa mbulim apo përreth ambientit kryesor të shërbimit;
3) servise makinash dhe mjetesh motorike me mbi dy punëmarrës;
4) pikat e shitjes së karburantit, gazit, vajrave lubrifikante dhe pjesëve të këmbimit apo aksesorëve të ndryshëm për automjete;
5) nënkontraktorët e ndërtimit me fonde private dhe publike;
6) transportuesit e mallrave me tonazh mbi 20 tonë kapacitet mbajtës apo grup automjetesh udhëtarësh e taksish me mbi 3 automjete;
7) tatimpaguesit që rezultojnë si klientë të shoqërive që janë të regjistruara në drejtoritë rajonale të tatimpaguesve të mëdhenj;
8) prodhuesit industrialë, agro-industrialë dhe ushqimor të natyrave të ndryshme.

Shqetësimi i biznesit: Bankat kanë rritur çmimet e transaksioneve

Komuniteti i Biznesit ka bërë të ditur se disa prej bankave të nivelit të dytë, kohët e fundit kanë rritur komisionet bankare për transaksionet. Rritja e tyre është vënë re edhe për individët që kanë një kartë debiti dhe tërheqin pagën mujore. Në kushtet kur qeveria ka vendosur detyrimin ligjorë që 90 % e pagesave vjetore të biznesit duhet të kalojnë nëpërmjet bankave, rritja e komisioneve është një kosto shtesë. Drejtori i Konfindustrisë Stefan Pinguli, shprehet se bizneset janë duke rishikuar humbjet që vijnë si pasojë e këtyre kostove shtesë. Sipas tij, qeveria e ka vënë me detyrim që çdo pagesë mbi 25 mijë lekë duhet të kalojë nëpërmjet bankave. Ndaj 1.5 apo 2% e tarifave që mbajnë si komision bankat janë kosto që po të mblidhen bëjnë një shumë të konsiderueshme. Ndërsa Konfindustria ka kërkuar që qeveria të ndërhyjë për të rishikuar këtë detyrim ligjor të pagesave të biznesit, pasi bankat janë private. Ndërsa ekonomistët e vlerësojnë këtë situatë si të papranueshme, jo për ndryshimin e tarifave, por për mënyrën se si bankat po reagojnë ndaj klientëve pa i njoftuar më parë ata për rritjen e tyre. Kostot financiare shtesë që bizneset dhe qytetarët paguajnë për komisionet bankare shkojnë për të përmirësuar bilancet e bankave të cilat, duhet thënë se janë tkurrur për shkak të mungesës së kredidhënies dhe sidomos rrezikut që kërcënon sistemin bankar, kreditë e këqija.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›