E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti i rëndë godet Verilindjen e Shqipërisë



Tiranë - Një tërmet me fuqi 7 ballë ka tronditur vendin gjatë mesnatës së të dielës dhe lëkundjet e tij kanë vijuar tek-tuk edhe në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Sipas të dhënave, epiqendra e tij ka qenë në fshatin Gjoricë, Shupenzë dhe komuna Ostren të Dibrës. Mësohet se lëkundjet në këto zona kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, por me intensitet më të vogël. Sa i përket nivelit të dëmeve, shumë prej banesave në këtë zonë janë dëmtuar rëndë dhe sot ato rezultojnë pa energji elektrike, ndërsa shumë banorë të tyre kanë preferuar ta kalojnë natën jashtë nga paniku i tërmetit. Të paktën 6 shtëpi rezultojnë të shembura plotësisht, ndërsa 1000 shtëpi janë dëmtuar me shembje të pjesshme. Ndërkaq, lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë dhe Durrës, por me intensitet më të ulët, deri në 5.4 ballë. Por mësohet se ato kanë qenë të ndjeshme edhe në Berat, Elbasan, Kavajë dhe Shkodër. Nga kjo goditje tërmeti nuk është shënuar ende asnjë viktimë, ndërsa pritet që në orën 10:00 të mblidhet Shtabi i Emergjencës për të analizuar situatën e ndërhyrjes dhe të asaj që ndodhi.
Përsëritja
Instituti Sizmologjik informoi dje pas mesditës për lëkundje të reja të tërmetit në qarkun e Dibrës. Ekspertët thanë se epiqendra ka qenë sërish fshati Gjoricë. Në orën 23:49 minuta të së dielës, në këtë fshat lëkundjet e tërmetit ishin të një fuqie 7 ballë. Lëkundja më e fundit është shënuar në orën 14:21 minuta të ditës së djeshme dhe ishte me magnitudë 3.3 ballë, njoftojnë ekspertët, ndërsa në epiqendër ka qenë i një fuqie 4 ballë. Ekspertët sizmologë të Institutit shkencor paralajmërojnë se lëkundjet do të vazhdojnë, por do të jenë të lehta deri në çlirimin e energjisë. Dhjetëra familje në komunën e Gjoricës dhe Shupenzës e Ostrenit kanë qëndruar në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë shembur tërësisht, ose janë dëmtuar deri në nivelin për të qenë të rrezikshme për të banuar brenda. Banorët kanë kaluar natën jashtë, ndërsa një pjesë e mirë e tyre ishin të detyruar që edhe natën e djeshme të kalonin nën dritën e hënës.
Dëmet
Prefekti i qarkut Dibër, Xhaferr Seiti, konfirmoi dje për mediat ngritjen e komisioneve për dëmet nga tërmeti. “Në Gjoricë, 64 shtëpi janë vlerësuar të pabanueshme, 10 banesa të Shupenzë, 3 shtëpi të pabanueshme në Ostren, në Fushë-Kuqe 3 banesa të dëmtuara, kurse në Rubik 2 banesa, si dhe 2 kabina elektrike”, - deklaroi dje Seiti. Më tej ai ka shtuar se kanë mbërritur çadrat, me të cilat banorët me shtëpitë e pabanueshme do të mundohen të akomodohen për të kaluar natën jashtë. “Kanë ardhur 64 çadra, por nga dëmet e tërmetit janë prekur 84 fshatra”, - theksoi Seiti. Sipas tij, dëme ka pasur dhe në Mat, ku janë vlerësuar 2 shtëpi të dëmtuara. Prefekti i Dibrës konfirmoi se kishte angazhuar të gjithë kryetarët e komunave dhe të fshatrave për të raportuar mbi dëmet materiale që janë shkaktuar nga tërmeti.

Tërmeti është ndjerë dhe në Kosovë e Maqedoni

Eksperti i Institutit të Sizmologjisë, Rrapo Ormeni, informoi dje se lëkundjet e tërmetit gjatë natës kanë ardhur duke ulur intensitetin e tyre, çka dëshmon se janë shuar lëkundjet. “Mbas tërmetit të vitit 1979, ku u dëmtua lagjja Bahçallëk e Shkodrës dhe tërmeti i 1988, ky është më i forti ndër vite”, - konfirmoi eksperti sizmologjik. Tërmeti i mesnatës të së dielës me epiqendër në zonën e Dibrës është ndier edhe në Kosovë, në Prizren, Therandë dhe Gjakovë. Lajmi jepet nga Radio Televizioni i Kosovës. Mediat maqedonase informojnë se aparatet e Observatorit Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup sot regjistruan tërmete të reja nga seria me epiqendër në Dibër, rreth 110 kilometra në jugperëndim të Shkupit. "Pas tërmetit të parë më të fuqishëm nga kjo seri, mbrëmë, në orën 23 e 49 minuta, janë regjistruar edhe rreth dhjetë tërmete, gjashtë prej të cilëve janë ndjerë në Dibër dhe në qytete të tjera në Maqedoninë Perëndimore", - shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Tërmeti, një fëmijë në spital me plagë të lehta

Një fëmijë është i lënduari i parë që është raportuar deri tani nga tërmeti 7 ballë me epiqendër komunën Gjoricë të Peshkopisë. Kryetari i komunës Tomin raportoi në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës se fëmija nga fshati Catush i kësaj komune ka pësuar plagë të lehta. Ai është shtruar në Spitalin e Peshkopisë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Kryekomunari raportoi më pas se nga lëkundjet e tërmetit kanë pësuar dëme shkollat e komunës Tomin dhe Ostren. Plagosja e vogëlushit është e vetmja e dhënë në lidhje me bilancin e dëmtimit njerëzor të këtij tërmeti, megjithatë, ngelet për t’u theksuar fakti se nisur nga fuqia e epiqendrës së tërmetit (7 ballë) dhe nisur nga ora e vonë në të cilën u ndje lëkundja (sidomos në fshatra ku popullsia fle më herët) dëmet dhe bilanci njerëzor ka qenë shumë pozitiv pasi plagosjet kanë qenë të lehta dhe nuk është regjistruar asnjë viktimizim si pasojë e këtyre lëkundjeve të fuqishme.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›