E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset kërkojnë lehtësi për marrjen e kredive

22/07/2009  Të ndërhyjë BSH-ja

Bizneset në shumë vende të Evropës po përfitojnë kredi me interesa shumë të ulët, çka nuk po ndodh në Shqipëri. Pengesa kryesore duket të jetë norma bazë e interesit ende e lartë, në masën 5,75 për qind. Të gjendur përballë kësaj situate shumë biznese kanë kërkuar marrjen e masave për të përballuar krizën. Shumë prej tyre nuk po përfitojnë dot kredi nga bankat e nivelit të dytë. Këto të fundit kanë kërkuar nga ana e tyre uljen e normës bazë të interesit. Ekspertë të ekonomisë shprehen se ulja e normës bazë të interesit duhet të ishte bërë që në muajin nëntor të vitit të kaluar, në masën 2 për qind, jo më në 0,5 siç ndodhi në janar të këtij viti. Ndryshe nga situata në vendet e tjera të Evropës, kushtet për marrjen e një kredie për bizneset janë më të vështira dhe kredia vijon të jetë e shtrenjtë. Për më tepër ende nuk ka asnjë veprim konkret apo masë që do të mundësonte lehtësimin e marrjes së një kredie më të lirë. Veç kësaj, përfaqësues të biznesit kërkojnë nga autoriteti qendror financiar që të kontrollojë me instrumentet e veta, kushtet me të cilat bankat e nivelit të dytë japin kredi për biznesin. Sipas tyre, këto do të jenë një formë e ndihmës që do t’i ndihmojë për të kaluar periudhën e krizës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›