E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrëzon KQZ-në për Fierin

22/07/2009  Gjykata vendos pranimin e kërkesës ankimore të PS-sw. Të 440 votat të pavlefshme

Kolegji Zgjedhor i ka dhënë të drejtë Partisë Socialiste në kërkesën e saj për shpalljen të pavlefshme të fletëve të votimit të qendrës së votimit të Ruzhdies, Qarku i Fierit, duke rrëzuar në këtë mënyrë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky komision gjatë shqyrtimit të ankimimeve për 10 kutitë e këtij qarku i vlerësoi të vlefshme këto fletë, të cilat ishin të vulosura vetëm me një vulë. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton në nenin 103 të tij se “në pjesën e pasme fletët e votimit vulosen me vulën e KQV-së dhe me vulën e kryetarit të KQV-së”.

Gjykimi

Paraditen e djeshme Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë nisi shqyrtimin kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të 440 fletëve të votimit në qendrën e votimit nr. 30-52 të KZAZ-së nr. 19 Qarku i Fierit. Çështja u rehatua nga gjyqtarja Dhurata Haveri, e cila së bashku me trupën gjyqësore, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, është tërhequr për të marrë vendim lidhur me administrimin e provave të paraqitura nga ankuesit e kësaj çështje. Në përfundim të një seance, që zgjati deri në orët e pasdites, Kolegji mori vendim të pranojë kërkesën e PS-së, duke rrëzuar në këtë mënyrë KQZ-në, që në mbledhjen e 12 korrikut, pasi mori në shqyrtim kutinë nr. 30-52, i vlerësoi të vlefshme fletët e votimit të gjendura në të, edhe pse ishin me një vulë. Për këtë vendim PS-ja paditi KQZ-në, që u mbrojt nga pala e interesuar në këtë çështje - Partia Demokratike. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj ligjorë e cilësoi pretendimin e ngritur nga PS-ja si të pambështetur në prova dhe ligj dhe kërkoi rrëzimin e saj. Ata theksuan se Kodi Zgjedhor nuk përcakton shprehimisht se fletët duhet të kenë patjetër të dyja vulat dhe se ato që kanë vetëm një vulë janë të pavlefshme. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për Fierin dhe çdo vendim tjetër i dalë prej tij është i formës së prerë. Vlerësimi si të pavlefshme i 440 fletëve të votimit nuk ndikon në ndarjen e mandateve për Qarkun e Fierit, thjesht thellon rezultatin mes dy koalicioneve të kryesuara nga PD-ja dhe PS-ja. Sipas rezultatit në këtë qark, koalicioni me në krye PS-në ka fituar gjithsej 9 mandate, ai me në krye PD-në ka fituar 6 mandate dhe LSI-ja një mandat. PS-ja me këtë çështje fitoi betejën e parë kundër KQZ-së, ndërkohë që e presin beteja e tjera për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën.

Kutia e Ruzhdies

Kutia e qendrës së votimit me numër 30-52 ndryshoi raportin e votave mes dy partive kryesore krahasuar me qendrat e tjera votimit. Në këtë qendër ndërsa për PS-në kishin votuar 9 zgjedhës, për PD-në kishin votuar 362 zgjedhës dhe vetëm 3 për LSI-në. Të 439 fletët e votimit të gjendura në këtë kuti kanë qenë vetëm me një vulë, atë të kryetarit të qendrës së votimit. Pas një vendimmarrje 4 me 3, KQZ-ja i cilësoi të vlefshme këto fletë me arsyetimin se vota e zgjedhësve nuk mund të delegjitimohet për shkak të pakujdesisë së komisionerëve.

PALET NE GJYKIM KERKESA RELATORI SEANCA

Paditës: PS dhe “G-99” Kontestim i pavlefshmërisë Dhurata Haveri Data 22

I paditur: KQZ absolute i vendimit nr. 562 të KQZ-së ora 10:00

Palë e interesuar: PD

Paditës: P. Kons. Kontestim i vendimit nr. Petraq Dhimitri Data 23

I paditur: KQZ 555 të KQZ-së ora 9:30

Paditës: PD Kontestim i vendimit nr. Entela Prifti Data 23

I paditur: KQZ 579 të KQZ-së ora 11:00

Palë e interesuar: PS, LSI, PDI

Paditës: PD Kontestim i vendimit nr. Sashenka Jonuzi Data 24

I paditur: KQZ 561 të KQZ-së ora 9:30

Palë e interesuar: PS, LSI, PDI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›