E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemërohen këshilltarët e majtë, e nuk marrin pjesë në mbledhje

22/07/2009  Korçë- Edhe pse mbledhja kishte qenë e paralajmëruar, këshilltarët e majtë të Bashkisë Korçë u paraqitën në një numër të ulët sa mund të thuhet se i ngjante një bojkoti. Në takim ishin 14 këshilltarë të djathtë dhe vetëm 4 prej të majtës. Veç kësaj ra në sy mungesa e kryetarit të grupit të këshilltarëve të majtë dhe mbi të gjitha mungesa e Kryetarit të Bashkisë Korçë, Niko Peleshi. Mungesa e tyre la një shije të hidhur te qytetarët e shumtë, të pranishëm në këtë mbledhje, pasi në rend dite ishin një sërë problemesh konkrete. Pastrimi i tregut të qytetit, konkurrenca e pandershme, nga tregtarë të palicencuar etj, kanë mbetur ende pika të padiskutuara. Edhe pse Bashkia Korçë për problemet e mësipërme ka heshtur që prej dy vitesh, sërish drejtues të saj dhe këshilltarët e majtë nuk morën pjesë në mbledhje. Mungesa e tyre pati edhe një habi tjetër, pasi dita e martë do të miratonte fondin për të gjitha ato familje që jetojnë me ndihmë ekonomike, ku në rast se fondi nuk do gjente miratim, atëherë këto familje do të ishin të detyruara të mbeteshin pa bukë. Gjithsesi, edhe pse nga ana e këshilltarëve të majtë morën pjesë vetëm katër vetë, mbledhja mundi të kalonte për miratim çështjet më kryesore të rendit të ditës, përfshi këtu edhe dhënien e ndihmës ekonomike për qytetarët. Kjo gjë u bë e mundur vetëm fal pjesëmarrjes së plotë të këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Megjithatë, mungesa e të majtëve e kryetarit të grupit të këshilltarëve të majtë dhe kryetarit të bashkisë Niko Peleshi nga shumë qytetarë u konsiderua si një “zemërim këshilltarësh”, pasi tashmë mazhorancën e Këshillit të Bashkisë Korçë e kanë të djathtët. Kjo ndodhi që nga çasti që Partia Aleanca Demokratike u bë pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Tashmë në koalicionin e të majtëve nuk bën pjesë as këshilltarja e LSI-së. Për të gjitha këto arsye, këshilltarët e majtë kanë mbetur në minorancë, ndërsa duket se nuk e kishin menduar që Partia Demokratike dhe aleatët e saj do t’u merrnin drejtimin e kryesisë së Këshillit të Bashkisë që tashmë drejtohet nga prof.dr Gjergji Pendavinji. “Për këtë arsye ata janë zemëruar”, u shprehen tregtarët e fruta perimeve. Megjithatë, në përfundim të mbledhjes, Pendavinji u bëri thirrje këshilltarëve të majtë që të ishin më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar, veçanërisht ndaj halleve dhe problemeve të qytetareve që kërkojnë zgjidhje. Pavarësisht nga të gjitha këto, ende nuk dihet nëse në mbledhjen e radhës këshilltarët e majtë do të jenë të gjithë apo do të dërgojnë vetëm disa vetë, aq sa për të mos u konsideruar bojkot. Gjithsesi do të jetë Korça ajo që do të vlerësojë këshilltarët e të dy palëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›