E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset kineze investime ne Tirane

Dhjetëra biznese kineze kanë zbritur në Tiranë për parë mundësinë e investimit në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ftoi këta investitorë që të investojnë të qetë në Tiranë, pasi do të kenë plotësisht mbështetjen si të qeverisë vendore ashtu edhe të qeverisë qendrore.
“Është një kënaqësi për mua, që në emër të Bashkisë së Tiranë, t’ju uroj mirëseardhjen në qytetin tonë dhe t’ju përgëzoj për organizimin e këtij panairi të teknologjisë dhe investimeve në Tiranë. Kina është sot një “motor” i padiskutueshëm i ekonomisë botërore, ekonomia e dytë e botës dhe një nga partnerët e rëndësishëm të Shqipërisë, në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Në këtë kohë vështirësish financiare anembanë globit, Kina vazhdon rritjen e pandalshme ekonomike dhe po bëhet një faktor i investimeve të huaja në botë. Prania e 100 investitorëve nga Nanjingi, sot këtu në Tiranë është një shenjë e qartë e besimit që këta investitorë kanë, te Tirana potencialet dhe planet e saj të zhvillimit” – theksoi Kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu vendosmërinë e tij dhe administratës që drejton, për ta bërë Tiranën vendin më tërheqës për investimet vendase dhe të huaja. Projektet strategjike, Plani Urbanistik, Bulevardi, rehabilitimi i lumit të Tiranës, Terminali, Trami, Parku Teknologjik etj, janë një mundësi që u ofrohet investitorëve nga mbarë bota.

“Ne ofrojmë sot një nga atmosferat më të mira për biznesin në botë, një fillim biznesi të karakterizuar nga taksa të ulëta dhe procedura të shkurtuara burokratike. Ky muaj është edhe muaji i shpalljes së Planit Urbanistik të Tiranës, i cili për biznesmenët e vendit dhe investitorët e huaj përbën një garanci më shumë për planet e tyre të zhvillimit. Tirana është qyteti me moshën më të re në Europë, me forcë punëtore të mirëedukuar dhe plot energji pozitive dhe që këtej ndodhemi vetëm 1 orë, 1 orë e 30 minuta nga kryeqendrat kryesore të Europës. Pra, mirësevini në Tiranë! Ju ofrojmë klimën më të mirë të biznesit, plane të qarta zhvillimi, procedura të shkurtra burokratike, dorën e shtrirë dhe derën e hapur për bashkëpunim” – u shpreh z. Basha.

Zoti Basha theksoi se investimet e huaja janë pjesë e planit, për zhvillimin e Tiranës dhe nxitjen e punësimit.
“Nëse janë investime në infrastrukturë apo në Parkun Teknologjik, në sektorin e ndërtimit apo të prodhimit, në turizëm apo shërbime, ju do të gjeni përkrahjen e plotë të Bashkisë së Tiranës, për të realizuar planet tuaja të investimeve. Zhvillimi ekonomik do të sigurojë më shumë vende pune për qytetarët e Tiranës, do të sigurojë mirëqënie më të mirë për ta dhe në veçanti do të sigurojë më shumë vende pune për rininë e mirëkualifikuar të Tiranës, ndërsa për ju paraqet shanset më të mira për investime në Europë” - tha Kryebashkiaku Basha.

Ambasadori i Kinës në Shqipëri deklaroi gjatë fjalës së tij se Shqipëria është një shtet që i përballoi goditjes së krizës ekonomike, duke ruajtur një rritje ekonomike prej 3.1 për qind, për vitin që lamë pas. Sipas tij, kjo e bën vendin të besueshëm për investimet e reja kineze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›