E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrymat në të djathtë - spekullime antireformatore

Partia Demokratike ka shprehur dje se nuk asnjë lloj rryme të kundërt brenda saj mbi qëndrimin e kësaj force politike për amendimet Kushtetutese, të propozuara pak ditë më parë. Deputetët demokratë, Ferdinand Xhaferri dhe Edi Paloka konfirmuan dje se brenda PD nuk ka kundërshtime mbi ndryshimet në kushtetutë, por diskutime që sjellin stabilitet politik, duke mohuar zërat se në PD ka rryma të kundërta. Dy deputetët e PD-së deklaruan se është pranuar propozimi i PS për sistemin zgjedhor proporcional rajonal, duke e konsideruar atë si një propozim që sjell stabilitet politik në vend. Në këtë këndvështrim, deputeti, Edi Paloka tha se debatet në Partinë Demokratike duhen parë nën dritën e demokracisë së kësaj partie. Paloka vuri në dukje se përsa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ka pasur qëndrime të ndryshme. “Diskutimet u përqendruan te sistemi elektoral dhe mendimet ishin të ndryshme. Një nga pikat që ishte aty, për kundërfirmën që duhet të kishin dekretet e Presidentit edhe kryeministri Berisha tha se nuk mendon se mund të ishin të nevojshme”, u shpreh Paloka. Deputeti i PD-së Edi Paloka sqaroi se ndryshimet në Kushtetutë kanë si synim të vecantë të sigurojnë stabilitet politik, duke theksuar se nuk ka asnjë sistem zgjedhor që të garantojë fitoren e një partie. “Duket sikur ky system përjashton të vegjlit, por në fakt siguron një stabilitet dhe siguri politike. Me aleatët do të gjendet një zgjidhje që do të jetë e favorshme si për ta ashtu edhe për ne”, vuri në dukje Paloka. Edhe deputeti tjetër demokrat, Ferdinand Xhaferri, ka qënë dje në të njëjtën linjë kur ka deklaruar se “ndryshimet kushtetuese që propozon PD plotësojnë më së miri kornizën e stabilitetit të vendit”. Sipas tij ndëra  “PS solli një ndryshim kushtetues për të kaluar nga sistemi maxhoritar në atë proporcional rajonal, me objektivin që ky sistem prodhon stabilitet.
PD shkoi më tej propozimit të PS, se i dha trajtën e një ndryshimi të plotë kushtetues,
po në linjën e prodhimit të stabilitetit.
Ndryshimet në Kushtetutë, PDK: Të mblidhet tryeza politike parlamentare/Partia Demokristiane kërkoi dje mbledhjen e një tryeze të gjerë për ndryshimet në Kushtetutë duke theksuar se reformat nuk duhen të shihen vetëm si realizim numrash në Kuvend, por si një mundësi për të arritur një mirëkuptim mes palëve. Një nga partitë aleate të selisë blu, Partia Demokristiane, i sugjeron dy partive të mëdha të heqin dorë nga ajo që cilësohet si “shoë mediatik”, rreth ndryshimeve kushtetuese. Partia Demokristiane kërkoi dje organizimin e një tryeze të lartë politike parlamentare, me ekspertë të njohur të ligjeve, për të diskutuar dhe vendosur me mirëkuptim të gjerë mbi reformat që prekin direkt të drejtat e qytetarëve shqiptarë. “PDK kërkon nga të gjithë forcat politike parlamentare që të heqin dorë nga shoë mediatik me Kushtetutën”, tha në një prononcim për mediat nënkryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jak Ndokaj, ndërsa nënvizoi se “propozimet për ndryshime në Kushtetutë kërkojnë një konsensus të gjërë deputetësh dhe të opinionit publik, gjë që nënkupton një mirëkuptim përtej palëve politike”. Ndokaj tha se “PDK mendon se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur, por duhet të ketë një dialog të gjërë mes palëve për këtë qëllim”. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se “eksperienca në politikë gjatë viteve, ka treguar se ndryshimet në Kushtetutë janë të nevojshme, por askush nuk duhet të tregohet i ngutur për të bërë ndryshime të pamenduara”. Në këtë aspekt, PDK i sheh ndryshimet në Kushtetutë si element për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar, ndaj dhe kërkohet kujdes dhe maturi për ndryshime të mundshme. Duke vlerësuar konsensusin politik në vend, Ndokaj tha se “konsensusi në politikë duhet të na shërbejë për të realizuar reforma jetike për vendin”. “Reformat nuk duhen të shihen vetëm si realizim numrash në Kuvend, por si një mundësi për të arritur një mirëkuptim të gjërë mes palëve”, tha ai, duke shtuar se “rrugës kemi në dorë disa reforma me rëndësi të veçantë, si ajo zgjedhore, reformat administrative, të cilat nuk kërkojnë thjesht numër votash, por një kompromis politik”. Ndërkaq, propozimet e pak ditëve më parë të Partisë Demokratike, për ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një konsensus të gjerë deputetësh dhe opinioni publik, kjo nënkupton pikërisht një mirëkutpim përtej palëve politike. Nisur nga realiteti politik PDK kërkon thirrjen e një tryezë të lartë politike parlamentare, me ekspertë nga më të njohurit të ligjeve, për të diskutuar dhe vendosur me mirëkuptim të gjërë për reformat të cilat prekin direkt të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Mazhoranca, mbledh këtë javë tryezën e partive të djathta për një qëndrim të unifikuar/Zhvillimet e fundit politike në vend dhe synimet për përmirësimet në kuadrin ligjor në sajë të amendimeve që parashikohen në Kushtetutë, dhe diskutimet për reformën zgjedhore, kanë hapur një debat të gjërë në arenën politike brenda vendit. Në këtë drejtim, për të shuar cdo mosmarrëveshje me aleatët kryesisht për qëndrimet ndaj reformës zgjedhore dhe ndryshimeve në Kushtetutë, Partia Demokratike pritet të udhëzojë mbledhjen e tryezës së djathtë për këtë çështje. Për sa u takon ndryshimeve në Kushtetutë PD ka deklaruar se, përbëjnë bazën e asaj që është reforma e shtetit dhe se këto ndryshime janë të tërësishme duke ndjekur sfidat e shekullit dhe integrimin në NATO. Kësisoj, partitë e djathta pritet të dalin me një qëndrim gjatë javës së ardhshme mbi ndryshimet në Kushtetutë lidhur me reformën zgjedhore, të propozuara nga Partia Socialiste, por edhe mbi propozimet e PD-së që parashikojnë amendimin e disa neneve në ligjin themeltar të shtetit përsa i takon zgjedhjes së Presidentit të Republikës, mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshim në mocionin ndaj Kryeministrit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, konfirmoi më parë komunikimin e vazhdueshëm me aleatët lidhur me këto ndryshime në Kushtetutë dhe faktin se “shumë shpejt do të ketë një takim të nivelit të lartë me ta”. Takimi i këtij niveli pritet të zhvillohet pas kërkesës së firmosur nga disa parti të vogla të djathta mesin e javës së kaluar. Por pika kyçe e këtij takimi duket se do të jenë ndryshimet në Kushtetutë lidhur me reformën zgjedhore, të propozuara nga PS. Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh një ditë më parë se “PD është pozicionuar në mbështetje të çdo propozimi që vjen nga opozita lidhur me sistemin zgjedhor”. Reagime lidhur me ndryshimet në Kushtetutë kanë ardhur gjatë kësaj jave edhe nga krerët e partive të vogla të maxhorancës. Për kreun e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, “ky është vetëm një grup propozimesh për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që t’i hapet rruga hartimit të një ligji të ri zgjedhor”. BLD, u shpreh Starova, është pozicionuar në mbështetje të propozimeve të PD-së. Ndërsa, Arjan Madhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PR-së, duke u ndalur tek reforma zgjedhore tha se “Kushtetuta ka përcaktuar sistemin dhe modelin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe propozimi i PS-së tenton t’i largohet shprehjes së sistemit dhe modelit në Kushtetutë”. Për reformën zgjdhore edhe Kryetarja e Kuvendit Joefina Topalli, deklaroi dy ditë më parë se ndryshimet themelore do të pasqyrohen njëherë në ndryshimin përkatës të nenin në Kushtetutë dhe më pas nga ky ndryshim do të kalohet në ndërtimin e një kodi të ri elektoral, që do të kërkojë një kohë më të gjatë. Sipas saj, realizimi i reformës zgjedhore ka të bëjë edhe me përmbushjen e standardeve për zgjedhje të lira, duke siguruar kartat e identitetit, pasaportat biometrike dhe me regjistrin civil elektronik të zgjedhësve, për të cilat po ecet shumë mirë dhe se këto standarde do të plotësohen. Gjithashtu reformimi i sistemit electoral, do të cojë në krijimin e një sistemi elektoral që të prodhojë një qeveri stabël. Kjo ka bërë që të shqyrtohen variante të ndryshme dhe të përafrohen më shumë drejt një sistemi propocional rajonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›