Pushtimi i Irakut, Pentagoni nën akuzë: Shfrytëzoi ekspertët e luftës në TV
Analistë ushtarakë janë përfshirë në borderonë e Pentagonit apo industrisë së mbrojtjes dhe informacionit, që manipulohet për ta vënë politikën anti-terrorizëm të Shtëpisë së Bardhë dhe luftën në Irak nën një tjetër këndvështrim, më pozitiv, të opinionit publik. Kjo është akuza që "New York Times" ka hedhur së fundmi kundër administratës amerikane dhe sistemit të mediave. Sipas të përditshmes prestigjioze amerikane, Pentagoni kishte ngritur një strategji të vërtetë mediatike për t‘i dhënë popullaritet luftës kundër Sadam Hyseinit, duke nxjerrë në rrjetet kryesore televizive analistë që në dukje ishin tërësisht të pavarur, por që në të vërtetë shumë të influencuar nga Uashingtoni. Atyre u lejoheshin madje edhe takime private, udhëtime, akses dhe informacione të rezervuara. "Deklarata dhe intervista të shumta tregojnë se si administrata Bush ka përdorur kontrollin e saj tek aksesi në informacione për t‘i transformuar analistët në një lloj ‘kali Troje‘... një instrument për të krijuar fasadën e preferuar të problemeve të terrorizmit brenda vendit", shkruan "New York Times". Një plan ky, sa i thjeshtë, po aq edhe i detajuar. "Tori Klark, ish-përgjegjësi i marrëdhënieve publike, pohon sërish NYT, krijoi brenda Pentagonit një sistem rekrutimi të personazheve të rëndësishëm dhe me ndikim për të mbështetur prioritetet e Ramsfeldit (ish-sekretar i shtetit për mbrojtjen)". Personazhe të zgjedhura mbi të gjitha mes analistëve dhe ekspertëve, për shkak të autoritetit të tyre të natyrshëm, vlerësoheshin më shumë se sa gazetarët nga ana e shikuesve. Që këtu, sipas gazetës, lindi ideja për t‘i përdorur ata në mënyrë që të bëhej më popullore ideja e luftës. Është ky në fakt një denoncim të cilit Pentagoni i është përgjigjur menjëherë, duke pranuar se bëhej fjalë thjesht për t‘u dhënë analistëve lajme më të detajuara. Në të vërtetë, sipas asaj që shkruan gazeta, disa komentatorë kishin edhe marrëdhënie të ngushta me shoqërinë e implikuar drejtpërsëdrejti në kampin pro-luftës. Një nga rastet e cituara nga gazeta ka të bëjë me vitin 2005, kur Pentagoni mblodhi një grup ushtarakësh në pension dhe i dërgoi në Irak, në bordin e një avioni që normalisht përdorej nga zëvendëspresidenti Dik Çeni. Më pas, shumë prej tyre u shfaqën në televizione, duke u prezantuar si analistë. Një prej tyre, në një shkrim të "New York Times", pohon se u ishte nënshtruar presioneve. Një tjetër episod i dokumentuar nga gazeta është edhe ai i lidhur me të ashtuquajturën "revoltë e gjeneralëve". Në prill 2006, një grup zyrtarësh të lartë në lirim, filloi të kritikonte ashpërsisht dhe të kërkonte dorëheqjen e Ramsfeldit. Më 14 prill, shefi i Pentagonit urdhëroi bashkëpunëtorët e tij të thërrisnin analistët një javë më pas dhe t‘i instruktonte. Katër ditë më vonë, sipas NYT, "17 prej tyre ishin para Ramsfeldit dhe gjeneralit Piter Pejs, asokohe komandant i trupave të armatosura amerikane. Gazeta denoncon në përfundim se falë efikasitetit të sistemit, edhe ish-ministri i drejtësisë, Alberto Gonzales, i shqetësuar nga polemikat mbi përgjimet telefonike pa autorizim në territorin amerikan, filloi të "përdorte analistët" për të përmirësuar imazhin e tij.