Me helikopterin e ushtrisë, në oborrin e Kejtit
Edhe një tjetër "çmenduri" e princit Uilliam. Si pasojë, shpërthejnë sërish polemikat. Për të dytën herë në pak ditë, djali i parë i princit Çarls dhe Dianës ka "përfituar" nga një fluturim stërvitor si pilot ushtarak, duke u ulur me helikopter brenda perimetrit të një vile në fshat, që i përket familjes së të fejuarës së tij, Kejt Midëllton. "E ka bërë për të impresionuar të dashurën", shkruante me tone të hidhura tabloidi "News of the World", që ka publikuar ekskluzivisht lajmin duke e quajtur sipërmarrjen e princit "një farsë mbretërore". Javën e kaluar, Uilliami i ri ishte kryqëzuar nga revistat për shkak të një historie të ngjashme. Kishte përdorur një helikopter "Chinook" stërvitor, për të marrë të vëllain, Herri, në Londër dhe për të fluturuar më pas me të deri në ishullin Uajt, ku kushëriri Piter Filips kishte organizuar një festë beqarie. Helikopteri "Chinook" shpenzon rreth 20 mijë euro për çdo orë fluturimi, para këto të taksapaguesve britanikë dhe "News of the World" citon tani një burim anonim ushtarak që denoncon: "Ulja e Uilliamit në kopshtin e Midëlltonit ishte një shpërdorim total parash publike në një kohë kur në Afganistan dhe Iran trupat tona nuk kanë pajisjet më elementare". Një ekspert i aviacionit, Xhon Lejk, ka mbështetur tabloidin duke e përshkruar fluturimin dhe uljen në kopsht (ndërsa ajo dhe prindërit e saj shikonin të mahnitur nga dritaret) një gjest qesharak dhe të papërshtatshëm. Ministria e Mbrojtjes në anën tjetër është përpjekur të mbrojë pasionin e princit Uilliam për helikopterët dhe ka nënvizuar se ulja në kopshtin e të fejuarës ishte autorizuar si pjesë e një stërvitjeje praktike (e njëjta gjë ishte thënë edhe për ekskursionin me Herrin deri në ishullin Uajt). "Helikopteri Chinook është ulur vetëm për 20 sekonda dhe askush nuk ka zbritur apo nuk është ngjitur në bord", ka saktësuar ministria, që më pas ka shpjeguar se stërvitja në uljen në fushë dhe në hapësira të kufizuara është thelbësore për të shërbyer në zona të nxehta si Afganistani apo Iraku. Por, pavarësisht nga polemikat, 25-vjeçari Uilliam ka marrë më 11 prill, pikërisht nga duart e të atit, Princit Çarls, diplomën e pilotit të "Forcave ajrore mbretërore" (RAF), pas vetëm katër muajsh stërvitje intensive. Tani e pret edhe një tjetër sezon në marinë.