Bizneset shqiptare në Itali konfirmohen të suksesshme
Studim i Shoqatës më të madhe të bizneseve në Itali, “Confesercenti”
Kalojnë nga 22 mijë në 30 mijë brenda tre viteve
Kriza ekonomike që ka prekur vendin fqinj, Italinë, si duket ka kursyer sipërmarrësit e huaj. Emigrantët shqiptarë po i rezistojnë më mirë krizës ekonomike në Itali. Ky fakt konstatohen në studimin e fundit të Shoqatës më të madhe të bizneseve në Itali, “Confesercenti”, sipas së cilës, në nëntë muajt e fundit të 2012 sipërmarrja individuale e pronarëve jo të Bashkimit Europian është rritur me 13 mijë, ndërsa ajo italiane është ulur me 24 mijë.
Sipas të dhënave të studimit në Itali janë rreth 300 mijë sipërmarrje të ndryshme me pronësi jo italiane.
Në vend të parë të sipërmarrjes së huaj në Itali janë emigrantët nga vendet e Afrikës, me 97 mijë aktivitete e biznese: ku 57 mijë janë marokenë pastaj vijnë më radhë sipërmarrje nga qytetarë nga Egjipti, Senegali, Tunizia, etj.
Në vend të dytë janë sipërmarrje me kombësi kineze 41 mijë, me një rritje 6 për qind, që preferojnë biznese restorantesh dhe veshjesh. Ndërsa në vend të tretë janë sipërmarrjen me pronësi shqiptare, që janë 30 mijë, që janë aktive kryesisht në fushat e ndërtimit, artizanatit dhe shërbimeve. Në vitin 2009, 165 mijë biznese me titullarë të huaj, afro 22 mijë ishin shqiptare.
Një pjesë e tyre madje kanë xhiro vjetore prej miliona eurosh.
Megjithatë ndërsa rriten bizneset me pronarë emigrant, gjithashtu konstatohet një trend në rënie të emigrantëve në punë bujqësore dhe blegtorale. Sipas raporti të fundit të agjencisë Coldiretti në bashkëpunim me Caritas Migrantes, në fshatrat e Italisë bie fuqia e punës e mbajtur nga imigrantët.
Në raport theksohet se shqiptarët që punojnë në agrikulturë janë 23. 982 veta nga 313.724 persona që punojnë në fshatra e Italisë. Mirëpo në dhjetë vitet e fundit rëndësia në prodhimin e brendshëm bruto të Italisë, roli i emigrantëve ka kaluar nga 2 për qind në 9 për qind, duke prodhuar 5.7 për qind të pasurisë së Italisë.