E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, tatim-fitimi do paguhet 1 herë në 3 muaj

Qeveria miratoi dje ndryshimin në ligjin Për tatimin mbi të ardhurat, që iu mundëson bizneseve kryerjen e pagesës vjetore të tatim-fitimit nga 13 pagesa që janë aktualisht, në 5 pagesa.
Pagesa e re
Tashmë me ligjin e ri, të gjitha bizneset nuk do i paguajnë çdo muaj tatim fitimet, por vetëm një herë në 90 ditë. Sipas kryeministrit Berisha, kjo nismë do ti kursejë kohë bizneseve dhe do të shmang burokracitë. Ai shtoi gjithashtu se do të ketë penalitete për zyrtarët që flenë me sy hapur në krye të detyrës. Qeveria po bën gjithçka që barra burokratike të thjeshtohet në shkallën më maksimale. Me këtë projektligj, pagesat e detyrimeve të tatim-fitimit nga biznesi zbresin në 5 pagesa, pra, zbresin në çdo tre muaj dhe e redukton me rreth 70 për qind kohën prej 125 orë, u shpreh Berisha.
Opozita
Kryeministri sulmoi edhe kreun e opozitës, Edi Rama, i cili është pozicionuar pro rritjes së taksave. Sipas Berishës, Rama e gjen veten në kundërrymë dhe taksat do të pësojnë ulje. Zotëria që u premtoi shqiptarëve kthimin tek taksa progresive dhe rritjen e saj, që u premtoi shqiptarëve shkatërrimin e dhjetëra mijërave vende pune, që u premtoi shqiptarëve shtrëngimin e mëtejshëm të rripit, të cilën shqiptarët kanë neveri ta dëgjojnë, se 45 vjet nuk është thënë gjë tjetër, por të shtrëngojmë rripin për të arritur majën e socializmit dhe arritëm në greminë, theksoi Berisha. Kryeministri shtoi më tej se qeveria do të vazhdojë punën për krijimin e lehtësirave për biznesin.
Rritja ekonomike
Po kështu, kabineti i ministrave po punon për një paketë të re e cila ka për qëllim nxitjen e rritjes ekonomike. Kriza është dhe do të mbetet afatgjatë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet që jo vetëm të shmangë recesionin, por të garantojë rritje progresive, me modelin e saj. Natyrisht, kjo kërkon nga ne që të bëjmë gjithçka, për të nxitur, inkurajuar, lehtësuar biznesin dhe veprimtarinë e tij, tha dje Kryeministri. Berisha u kërkoi ministrave të shqyrtojnë çdo procedure dhe mundësi për të lehtësuar, nxitur biznesin, për të inkurajuar partneritetin publik-privat, si një levë e fuqishme e shumëfishimit të financimeve dhe fondeve, në interes publik e privat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›