E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, rritje për ata që nuk shkëputen nga puna

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë një skemë të re për rritjen e pensioneve. Bëhet fjalë për kategorinë e personave që kanë mbushur moshën për të dalë në pension, por që nuk janë të kënaqur me masën mujore. Drejtori i Kontributeve ne Institutin e Sigurimeve Shoqërore Sabah Goci ka shpjeguar dje në media se për këto raste ka një dispozite ligjore, e cila i lejon përfituesit të rrisin masën e pensionit me anë të bonusit.
Rritja
Specialisti Goci thekson se personat, të cilët kanë plotësuar 35 vite pune, si dhe kanë mbushur moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, por që masa e pensionit të tyre është e vogël, mund ta rrisin atë duke mos u shkëputur nga puna. Eshtë parashikuar që kjo kategori njerëzish, meqë në se nuk do të aplikojnë për pension do të marrin një bonus, ose një shtesë mbi pensionin që do ti llogaritet. Kjo shtesë varion për çdo muaj 0.34 për qind e masës së pensionit të llogaritur, thotë Sabah Goci, drejtori i Kontributeve në ISSH.
Masa e pensionit
Masa e pensionit minimal, aktualisht llogaritet në 11 mijë e 117 lekë, ndërsa pensioni maksimal llogaritet në 22 mijë e 234 lekë. Sipas Gocit pensionin minimal e përfitojnë të vetëpunësuarit dhe ata qe kanë punuar në bujqësi, të cilët përfitojnë të ardhura minimale. Shpesh përfituesit e kontributeve ndërpresin punën në moshën e përcaktuar edhe pse nuk janë të kënaqur me masën minimale të pensionit. Ndaj drejtues të ISSH-së u bëjnë thirrje qytetarëve, që para se të aplikojnë për pension të paraqiten më parë për të mësuar se si mund të ndryshojnë masën e pensionit që përfitojnë. Bonusi merret edhe kur qytetari përfiton pension maksimal.
Rritja e moshës
E përkthyer ndryshe kjo skemë nënkupton në vetvete një rritje të moshës së daljes në pension, pasi kjo dispozitë ligjore i zhvesh qytetarët nga detyrimi për të lënë punën dhe për të dalë në pension në moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Kohët e fundit në media është folur dhe analizuar shpesh fakti se skema e pensioneve ndodhet në vështirësi financiare, pasi numri i përfituesve (pensionistëve) po rritet vit pas viti, gjë që kërkon më tepër buxhet. Nga ana tjetër numri i kontribuuesve nuk ka shënuar ndonjë rritje të madhe, nisur edhe nga statistikat zyrtare të cilat thonë se raporti kontribues-përfitues është pothuajse i barabartë (1 kontribues për 1 përfitues).

Raporti
Në mënyrë që skema të jetë e mbrojtur dhe jashtë rrezikut të falimentit duhet që numri i kontribuuesve të jetë më i lartë se i përfituesve. Puna në të zezë dhe emigrimi i lartë i popullsisë shqiptare janë renditur si dy shkaqet kryesore të numrit të ulët të kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Përballë gjithë kësaj situate për ISSH-në do të ishte me leverdi që numri i pensionistëve të rinj të jetë sa më i ulët, për të pasur kësisoj mundësi të përballohet me lehtësi fatura e pensioneve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›