E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi 6 muaj afat për pullat e reja fiskale, ja si procedohet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 13-09-2011 11:01

Një udhëzim i Financave, i cili ka hyrë në fuqi dje, përcakton të gjitha modalitetet e pajisjes së biznesit me pulla të reja fiskale dhe akcize. Periudha tranzitore është 6 muaj. Procedurat për të gjitha kategoritë e biznesit

Biznesi i madh dhe i vogël që i nënshtrohet pullave të akcizës do të ketë një periudhë tranzitore për vënien e pullave të reja, që nga dita e djeshme kur hyri në fuqi një udhëzim i Ministrisë së Financave, nëpërmjet të cilit përcaktohen modalitetet e aplikimit të pullave të akcizës dhe pullave fiskale në produktet e duhanit, birrës dhe alkoolit etj.

Sipas udhëzimit, prodhuesit dhe importuesit vendosin dhe shënjojnë të gjitha produktet e akcizës, në përputhje me këtë udhëzim, duke përdorur pullat e akcizës dhe pullat fiskale. Pullat e akcizës për verën, alkoolin e distiluar, rakinë dhe alkoolin e pastër do të vendosen mbi tapa, në mënyrë të tillë që të grisen kur të hapen. Pullat e akcizës për fuçitë e birrës do të vendosen te prodhimet përkatëse mbi tapën e kontenierit përkatës, në mënyrë të tillë që të griset kur të hapet. Pullat e akcizës për birrën (prodhuesit e vegjël dhe birrat e importuara) do të vendosen përkatësisht te tapa (për shishet) dhe në fund (për kanaçet). Për prodhuesit e mëdhenj të birrës, pulla fiskale do të printohet direkt mbi tapë (për shishet) dhe në fund (për kanaçet), duke përdorur sistemin. Udhëzimi i Bodes përcakton se për çdo produkt akcize që mund të kërkohet pajisja me pullë akcize, i parenditur më sipër, pulla e akcizës do të vendoset mbi paketimin përkatës, sipas udhëzimeve të posaçme të ministrit të Financave. Pullat e akcizës për duhanin do të vendosen në pjesën e pasme dhe të përparme të paketës. Pullat e akcizës për prodhuesit e tjerë të duhanit (d.m.th. purot) do të vendosen mbi paketimin përkatës. I njëjti udhëzim përcakton se ndalohet tregtimi, zotërimi, shitja ose postimi për shitje i produkteve që nuk përmbajnë pullë akcize/fiskale, përveç rasteve kur shprehet ndryshe në këtë udhëzim. Udhëzimi përcakton se, secili prodhues ose importues, jo më vonë se në ditën e shtatë të punës të çdo muaji janar, prill, korrik dhe tetor të çdo viti, ose në atë ditë që furnitori dhe prodhuesit bien dakord, duhet t'i japë me shkrim tatimeve një parashikim ku të parashtrohet numri i pullave të akcizës dhe pullave fiskale për çdo lloj produkti të prodhuar/importuar, për t’u tregtuar nga ky prodhues/importues, duke përfshirë produktet që janë caktuar për eksport, së bashku me detaje të tjera siç kërkohet për çdo porosi. Çdo parashikim duhet të përmbajë këtë informacion për çdo muaj gjatë periudhës së tre muajve të njëpasnjëshëm, duke filluar me muajin e parë, menjëherë pas muajit në të cilin është kërkuar të dorëzohet parashikimi (p.sh. një parashikim i dhënë në janar duhet të mbulojë muajt shkurt deri në prill). Gjithashtu, çdo parashikim do të përfshijë edhe parashikimin vjetor të vitit kalendarik aktual dhe, duke filluar nga parashikimi i muajit korrik, do të përfshijë edhe parashikimin vjetor të vitit pasardhës. Për sa u përket porosive për pullat fiskale, një prodhues mund të kryejë një porosi ose me anë të sistemit qendror të monitorimit të gjurmëve dhe shenjave, të mundësuar nga autoriteti, ose duke plotësuar formularin e lëshuar nga autoriteti për këtë qëllim dhe dorëzimit të këtij formulari tek autoriteti në mënyrë elektronike, ose me shkrim. Secila porosi duhet të specifikojë sasinë e pullave fiskale të kërkuara, në përputhje me formatimin, sasinë minimale dhe shtesat, siç përcaktohet në shtojcën. Autoriteti duhet të miratojë çdo porosi brenda 2 ditëve të punës nga marrja e një porosie me anë të sistemit qendror të monitorimit të gjurmëve dhe shenjave.

Udhëzimi përcakton se secili prodhues ose importues, jo më vonë se në ditën e shtatë të punës së çdo muaji janar, prill, korrik dhe tetor të çdo viti, ose në atë ditë që furnitori dhe prodhuesit bien dakord, duhet t'i japë me shkrim tatimeve një parashikim për sasinë e pullave

Aplikimi i pullave të akcizës nga prodhuesit e mëdhenj

Prodhuesit e mëdhenj të birrës, që do vendosin pulla fiskale, kërkohet t'i dorëzojnë 5 kampione të tapave të secilit produkt (ekzistues dhe të ri) autoritetit. Autoriteti rezervon të drejtën të detyrojë prodhuesin të ndryshojë specifikimet e tapës, në mënyrë që ta bëjë këtë të fundit në përputhje me pullën fiskale. Prodhuesit e mëdhenj (përveç prodhuesve të mëdhenj të birrës) duhet të ngjisin pullat e akcizës mbi produktet e prodhuara në linjat plotësisht automatike të mbushjes vetëm nga aplikuesit e etiketave, të vendosura para sistemit të instaluar nga furnitori. Prodhuesit e mëdhenj të alkoolit duhet të kenë sistemin për verifikimin e cilësisë (në mënyrë që të zbulojnë produktet me defekt) dhe të çaktivizojnë aplikimin e etiketave, ose të instalojnë një sistem nxjerrje automatik, ose manual përpara sistemit të instaluar nga furnitori. Prodhuesit e mëdhenj duhet të sigurohen që asnjë produkt i parregullt (siç identifikohet nga sistemi i instaluar nga furnitori) të mos dalë nga fabrika për shitje. Furnitori e instalon sistemin në të gjitha linjat plotësisht të automatizuara të mbushjes ekzistuese të prodhuesve të mëdhenj. Furnitori duhet të ushtrojë kontroll të rreptë të sistemit për ta mbrojtur dhe për ta bërë atë të paprekshëm ndaj përpjekjeve të mundshme për modifikime ose rikonfigurime. Vetëm teknikët e furnitorit janë të autorizuar të modifikojnë sistemin. Prodhuesit e mëdhenj duhet të riciklojnë produktet e nxjerra. Për këtë qëllim, prodhuesit e mëdhenj duhet të heqin fillimisht pullat e akcizës apo pullat fiskale në përputhje me udhëzimet përkatëse të dhëna nga furnitori. Prodhuesit e mëdhenj e kanë të ndaluar të nënkontraktojnë prodhimin e produkteve të një pale të tretë që nuk është vetë në kushtet e zbatimit të këtij udhëzimi. Produktet e destinuara për eksport nuk do të pajisen me Kodin e Sigurisë.

Prodhuesit e mëdhenj nuk duhet t'i mbulojnë pullat fiskale me çfarëdolloj materiali që pengon leximin dhe autentifikimin.

Përdorimi i pullave të akcizës nga prodhuesit e vegjël

Prodhuesit e vegjël duhet të vendosin pulla akcize me adeziv mbi produktet e tyre. Pullat e akcizës duhet të fiksohen në pjesën e sipërme të grykës së shisheve të verës, alkoolit të distiluar, rakisë, alkoolit të pastër dhe fuçive të birrës të përshkruara në udhëzim ose çdo produkt tjetër që është subjekt i pullave të akcizës, por nuk renditet më lart, në atë mënyrë që pas hapjes së kontenierit të produktit pulla e akcizës të shkatërrohet. Për prodhuesit e vegjël të birrave, pullat e akcizës në formën e pullës me adeziv duhet të vendosen nga prodhuesit e vegjël në majë të tapës së shisheve, ose në fund të kanaçeve të birrës, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në shtojcën 1 të këtij udhëzimi. Prodhuesit e vegjël nuk duhet t'i mbulojnë pullat e akcizës me çfarëdolloj materialesh që ndalojnë leximin dhe autentifikimin e saj.

Përdorimi i pullave të akcizës nga importuesit

Importuesit do të bien dakord me prodhuesit që prodhojnë produktet e importuara, ose çdo të huaj tjetër që shet me shumicë, ose stampues, për të vendosur pullat e akcizës në produktet e tyre të importuara. Pullat e akcizës duhet të fiksohen në pjesën e sipërme të grykës së shisheve të verës, alkoolit të distiluar, rakisë, alkoolit të pastër dhe fuçive të birrës të përshkruara në udhëzim ose çdo produkt tjetër që është subjekt i pullave të akcizës, por nuk renditet më lart, në atë mënyrë që pas hapjes së kontenierit të produktit pulla e akcizës të shkatërrohet. Për birrën, pullat e akcizës në formën e pullës me adeziv, duhet të vendosen në majën e tapës së shisheve, ose në fund të kanaçeve të birrës në përputhje me kërkesat e dhëna në udhëzim. Importuesit nuk duhet t'i mbulojnë pullat e akcizës me çfarëdolloj materialesh që pengojnë leximin dhe autentifikimin e saj.

Ministria e Financave sqaron se, 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, asnjë produkt pa pullën e akcizës apo pullën fiskale sipas këtij udhëzimi, nuk mund të shitet apo të shpërndahet në territorin e Shqipërisë. Detyrimi i vendosjes së pullave të akcizës dhe pullave fiskale sipas këtij udhëzimi do të fillojë 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi. Pas periudhës prej 6 muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, inspektimet nga autoriteti, në lidhje me aplikimin e këtij udhëzimi do të kryhen në të gjithë territorin e Shqipërisë, te bizneset.

Prodhimi i pullave të reja fiskale me koncesion, ja çmimet

Ministria e Financave vendosi të zbatojë pulla të reja fiskale për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe të distiluara të alkoolit dhe birrës, me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike. Prodhimi i këtyre pullave është dhënë me koncesion. Propozimi i ofruar do të shërbejë për të monitoruar prodhimin, importin dhe shpërndarjen e produkteve të akcizës, përmes përdorimit të një sistemi inteligjent dhe të sigurt pullash dhe shënimi që mban një kod unik të sigurisë së lartë. E reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron te zbatimi i sistemit Sicpatrace (Secure Track & Trace Solutions), i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror, si dhe gjurmimin e tyre në treg, nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit. Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie, për të eliminuar falsifikimet e mundshme të tyre, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente (bojë unike, e cila do prodhohet nga Kompania vetëm për Shqipërinë) e deri te vendosja e një kodi unik të padukshëm. Sipas specialistëve të angazhuar në këtë proces, funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave false. Prodhimi dhe stampimi i pullave fiskale dhe atyre të barnave mjekësore është parashikuar të kryhet në Shqipëri, tek ish-Tipografia, në të njëjtin territor ku bëhet dhe personalizimi i pasaportave dhe kartave të identitetit.

Tabela

Produkti Lloji i pullës fiskale Çmimi për mijë në euro pa TVSH

Duhan pullë e sigurisë 20 euro

Alkool Pullë e sigurisë 32 euro

Birra Kodi i sigurisë 22 euro

Barna Pullë e sigurisë 21 euro/ 14,43 euro

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›