Katro, kryetarja e AMF, CV e saj ngjall debate në Kuvend
Ka krijuar hilaritet mes deputetëve kandidatura e vetme e paraqitur në Kuvend në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për postin e kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Kristin Katro. Pasi ka prezantuar një CV të gjerë profesionale dhe akademike, znj. Katro ka rrëfyer edhe hobet e saj përsa i përket muzikës, televizionit etj., duke u shpërfaqur aspak serioze për institucionit ku ndodhej dhe për atë çfarë pretendon të përfaqësojë. Kandidatura e vetme u kundërshtua edhe me vota nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan që postet vakante të institucioneve të pavarura të përzgjidheshin, jo të emëroheshin si në këtë rast në mungesë të një kandidature alternative. Opozita kundërshtoi kandidaturën e znj. Katro, mbi të gjitha, me argumentin se formimi i saj nuk është i duhuri për pozicionin që ajo synon, pasi formimi i saj është drejtësia. Kandidatura e Kristin Katros u miratua vetëm me votat e mazhorancës.