Biznesi: BSH ka gabuar me rritjen e normës bazë të interesit
Konfindustria ka kundërshtuar dje përmes një deklarate për mediat, vendimin më të fundit të Bankës Qendrore, për rritjen e normës bazë të interesit me 0,25%.
Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, e gjykon këtë nismë si të pavend dhe të pakohë, për gjendjen e ekonomisë shqiptare, me rritje prej 4.5% në 3 mujorin e parë të vitit 2011 dhe për zhvillimet përgjithësisht pozitive të tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesat e mëdha të brendshme për likuiditet. Sipas Buxhukut, shqetësimi kryesor i sistemit bankar shqiptar, që po sipas tij duhet të jetë dhe synimi kryesor i Bankës së Shqipërisë, është ndërhyrja e menjëhershme për rritjen e domosdoshme dhe sa më e shpejtë të cilësisë së portofolit të kredive nga bankat e nivelit të dytë. Konfindustria gjykon se masa e kredive të “këqija” ka arritur në pragun e rrezikshëm të 15% të portofolit të përgjithshëm me vlerë absolute prej qindra e qindra milionë dollarësh, duke përbërë një rrezik të mprehtë për sistemin bankar dhe për gjithë ekonominë shqiptare në tërësi. “Pavarësisht ndikimit relativisht të ulët të politikave monetare të Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht ndryshimeve të normës bazë të interesit të monedhës kombëtare Lek, parë mbizotërimin në mbi 75% të portofolit të përgjithshëm të kredive në monedha të huaja, kryesisht Euro dhe Dollarë, rritja e normës bazë të interesit është goditje psikologjike, e njëkohshme për biznesin dhe për vetë bankat e nivelit të dytë. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës së interesit shkon drejt ftohjes së papranueshme ekonomike”, është shprehur Buxhuku. Duke qenë se shpenzimet e buxhetit rezultojnë me rritje muajt e parë të vitit dhe shkak për këtë sjellje të buxhetit janë bërë zgjedhjet lokale, ku qeveria qendrore do të realizojë disa nga shpenzimet e planifikuara këtë vit, pesë mujorin e parë, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0,25%, duke e çuar atë në 5,25%. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë e argumentuan këtë lëvizje të Bankës Qendrore me këtë shkak kryesor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në terma sasiorë, shpenzimet buxhetore u rritën me 14% në terma vjetorë në muajin janar, në sajë të rritjes me rreth 8 për qind të shpenzimeve korrente dhe të rritjes me 40 për qind të shpenzimeve kapitale. Kjo sjellje e buxhetit, në fillim të vitit nuk është tradicionale, pasi shpenzimet, sidomos ato kapitalet, rriten në fund të vitit. Por në vitet elektorale, qeveritë i përqendrojnë shpenzimet në para në fushatë.