E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani, tatimet dalin nga hendeku

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-04-2011 13:48

Tatimet tejkalojnë planin me 9%, duke e realizuar mbledhjen e të ardhurave për muajin mars me 107, 3%. Në këtë mënyrë, Administrata Tatimore ka kaluar hendekun e 2 viteve të fundit, vite në të cilat jo vetëm që nuk është tejkaluar plani, por ka qenë shumë larg objektivave të vendosura nga kjo administratë. Ngërçi i mosrealizimit të të ardhurave tatimore, ka qenë një nga faktorët kryesorë të thellimit të deficitit buxhetor, pasi tatimet janë burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit të shtetit. Tatimet kanë raportuar se të ardhurat janë realizuar edhe për 3-mujorin e parë të këtij viti. Sipas tatimeve, për muajin mars, të ardhurat u realizuan në masën 107.3% me planin, ose 9% më shumë se marsi i vitit 2010, në vlerë absolute 15.1 mld në raport me 14.1 që ishte plani, si dhe nga 13.9 mld që ishte realizuar në vitin 2010. Gjithashtu, 3-mujori i parë i këtij viti, u realizua në masën 101%, ose 9% më shumë se 3-mujori i parë i vitit të kaluar. Tejkalimi i realizimit të mbledhjes së të ardhurave, sipas tatimeve, ka ecur paralel me rritjen e rimbursimit të TVSH-së. Gjatë këtij 3-mujori, janë rimbursuar rreth 1.6 miliardë lekë, ose 23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas drejtuesve të tatimeve, të ardhurat e muajit mars janë shifra më e lartë historike e realizuar në një muaj, nga administrata tatimore. Këto tregues, raportojnë tatimet, janë shprehje e performancës në rritje të Administratës Tatimore dhe rrjedhojë e reformave të thella të ndërmarra nga administrata tatimore, në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, si dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit të tatimpaguesve, për pagimin vullnetar. Duke iu referuar të dhënave të Administratës Tatimore, vetëm për muajt janar – shkurt 2011, janë regjistruar në shkallë vendi rreth 3.200 biznese të reja dhe është fiskalizuar pjesa më e madhe e biznesit me kasa fiskale, me rreth 56.000 kasa të vendosura, të cilat kanë ndikuar në formalizimin dhe vetëdeklarimin e të ardhurave. Për të forcuar më tej këtë administratë, e si rrjedhojë ekonominë e vendit në tërësi, duke marrë parasysh aplikimin e mundshëm të amnistisë fiskale, kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, duke forcuar penalitetet dhe gjobat për mosregjistrimin e bizneseve në QKR dhe gjithashtu mosregjistrimin e punonjësve, të paktën një ditë kalendarike përpara se ata të nisin punën. Gjobat variojnë nga 10 000 – 100 000 lekë.

56 Mijë kasa fiskale janë vënë deri tani në të gjithë vendin. Tatimet vlerësojnë se është fiskalizuar pjesa më e madhe biznesit

3.200 Biznese të reja janë regjistruar për muajt janar – shkurt 2011 në shkallë vendi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›