E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro çmendet, kalon kuotat e 142 lekëve

Kursi i këmbimit evidenton sërish luhatje, por duke vazhduar të forcojë më tej pozitën e monedhës europiane në tregun e brendshëm valutor. Agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet raportojnë për një euro që tregtohet me mbi 142 lekë. Një rekord i cilësuar ky nga ekspertët e këtij tregu, që nuk vërehet të paktën prej 7 viteve të fundit. Ndërsa, sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë, një euro është tregtuar dje 141.54 lekë dhe një dollar është tregtuar me 98.37 lekë. Ekspertët e kësaj fushe mendojnë se forcimi i mëtejshëm i monedhës europiane tregon për vazhdimin e një situate të vështirë të vendit, në lidhje me nivelin e çmimeve të produkteve të shportës, që rriten pothuajse çdo javë. Pavarësisht se shoqatat e agrobiznesit raportojnë të dhëna optimiste për rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe shifra të ulura, përsa i përket importit të këtyre prodhimeve, si tregtarët ushqimorë, dhe ata të fruta perimeve, deklarojnë se shesin në masë prodhime importi. Ata shprehen se afërsisht 85 % e ushqimeve vijnë nga jashtë, të blera me valutë të huaj, kryesisht euro, pasi tregtinë vendi ynë e zhvillon me vendet e Bashkimit Europian. Dhe euro sot kushton më shumë se 142 lekë. Këtë fenomen, të rritjes së mëtejshme të euros, ekspertët e shpjegojnë me efektin domino, i cili ndihet tashmë që prej tre muajsh tek të gjithë artikujt bazë ushqimorë, karburantet edhe tek shërbimet. Gjendjen e çmimeve në treg e konfirmuan edhe të dhënat e muajit mars të Institutit të Statistikave, duke bërë publik një inflacion prej 4,3 %, në pikë përqindjeje 0.2 më pak se muaji shkurt, por gjithsesi larg objektivave të Bankës së Shqipërisë. Sipas ekspertëve, kjo tregon një gjendje jo të mirë të situatës, e cila parashikohet të përkeqësohet, pasi Rusia dhe Franca priten të mos eksportojnë këtë vit dhe rezervat do të kenë gjithmonë çmime më të larta. E si rrjedhojë, edhe në tregun tonë të brendshëm, mallrat e importit, të cilat zënë pjesën më të madhe të produkteve që tregtohen, do të vazhdojnë rrugën e rritjes, duke ndikuar në xhepat e varfër të konsumatorëve shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›