Biznesi: Buxheti i shtetit 2012 parandalon krizën në Shqipëri
Konfindustria Shqiptare dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, përshëndetin miratimin e Buxhetit të Shtetit 2012 nga parlamenti
Komuniteti i biznesit përshëndet miratimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2012 nga Parlamenti, duke e cilësuar miratimin e tij, në një moment të rëndësishëm për ekonominë tonë, në kushtet e krizës. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Konfindustria Shqiptare, përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, vlerësojnë se, miratimi i buxhetit si dokumenti më i rëndësishëm ekonomik për vendin, është pa dyshim një ngjarje për komunitetin e biznesit shqiptare, si një buxhet në rritje që parandalon prekjen e Shqipërisë nga kriza ekonomike. “Buxheti shqiptar është i vetmi që rritet për vitin 2012, ndër buxhetet shtetërore të vendeve të tjera dhe biznesi shqiptar nuk mund të mos e vlerësojë këtë fakt”, citon kreu i Konfederatës Shqiptare Hajredin Fratari, duke nënvizuar se, biznesi vlerëson se është një buxhet që ul shpenzimet operative, duke shtuar vetëm ato kapitale, sidomos për infrastrukturën në ekonomi duke i dhënë mundësi kompanive shqiptare të ndërtimit që të marrin pjesë në tenderët. Ndërsa Enver Ferizaj, president i KASH-it, nënvizon se “rritjen me 5 për qind më shumë e buxhetit 2012 për bujqësinë kundrejt vitit të kaluar, parashikon zhvillimin e këtij sektori dhe përmirësimin e ekonomisë fermere”. Ky është edhe një buxhet social, thekson Ferizaj, pasi parashikon rritjen e pagave dhe pensioneve. Objektivat e projektbuxhetit të shtetit për vitin 2012 janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 për qind, një borxh publik brenda kufirit prej 60 për qind si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 për qind. Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 për qind, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 për qind të PBB-së. Përfaqësuesit e biznesit shprehen se, pavarësisht krizës ekonomike botërore ekonomia shqiptare vazhdoi ritmet e rritjes pozitive, duke siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe duke nxitur konsumin e brendshëm përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve. “Reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit nga qeveria shqiptare, kane forcuan ekonominë e tregut. Ulja konstante e normës së papunësisë, reforma strukturore e ato rregullatorë, shkurtimi i shpenzimeve administrative, si dhe rritja e nivelit të investimeve, bënë të mundur bërjen ballë të efekteve të krizës”, thuhet në deklaratën e KASH dhe Konfindustria Shqiptare.
...