E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova feston arritjet historike të kombit shqiptar

28-11-2011 / Gazeta 55

Flamuj kuq e zi bashkë me flamurin shtetëror të Kosovës valëviten në Prishtinë dhe në qytetet e tjera


Në këtë 28 Nëntor, Kosova feston arritjet e mëdha dhe historike të Shqipërisë, që hyn në vitin e jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë, të Kosovës shteti më i ri evropian, edhe të shqiptarëve në vendet e tjera fqinjë në synimet e tyre në idealin evropianizues të kombit e të rajonit. Flamujt kuq e zi me mijëra e mijëra valojnë bashkë me flamurin shtetëror të Kosovës, të SHBA-ve, të BE-së e vendeve anëtare dhe të gjitha 85 shteteve që e kanë njohur, si dhe të NATO-s, forcës më të madhe që për lirinë e saj ndërhyri në pranverën e para 12 viteve dhe vazhdon të jetë këtu me mision paqeje e sigurie. Atmosfera e festës ndihet kudo ditë e natë në kryeqytetin Prishtinë dhe në qytetet e lokalitetet e tjera, ku në ditën e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të gjitha rrugët dhe sheshet do të jenë plot njerëz në festë dhe me buçitjen e daulleve, të këngëve dhe valleve të artistëve e grupeve artistike nga të gjitha hapësirat shqiptare. Shqipëria dhe Kosova në këtë festë janë edhe më afër pasi në këtë nëntor u përuruan rreth 40 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdar, në vazhdim të Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, nga Durrësi deri në Morin. Prizreni, do presë në festë shumë bashkëkombës nga Kosova e Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare e diaspora. Në Mitrovicë, në prag të festës, një trupë profesionistësh të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nga Tirana me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore kanë sjellë Shqipërinë e traditave artistike. Edhe si Ditë e Pavarësisë edhe si Ditë e Flamurit, 28 Nëntori festohet tradicionalisht në Kosovë. Festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me kufirin e hekurt që ndante, festohet edhe tani kur edhe Kosova ka Ditën e Pavarësisë së vet dhe me Shqipërinë ka bashkëpunime të shkëlqyera edhe si dy shtete, shembull për rajonin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›