E Diel, 1 Nëntor 2026

“Buxheti, aksioni më i rëndësishëm politik i qeverisë dhe i mazhorancës”

28-11-2011 / Gazeta 55

Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndet miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2012


Në vlerësimin e LSI, padyshim që ky buxhet nuk është më i miri i mundshmi apo nuk është buxheti që ne do të donim t’i ofronim shqiptarëve dhe vendit në vitin 2012 që është edhe viti jubile i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti të dielën miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në një konferencë për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka theksuar se diskutimet, debatet dhe miratimi i buxhetit është padyshim jo vetëm aksioni politik i mazhorancës, por një ngjarje e rëndësishme që i kalon caqet e miratimit thjesht të një ligji. Sipas tij, vetë debati në parlament, pavarësisht mungesës së votave të opozitës, shprehu të gjithë rëndësinë e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, projektit më ambicioz të mazhorancës për zhvillimin e vendit. “Padyshim që ngjarja më e rëndësishme e javës e cila në fakt për nga vlera dhe rëndësia është një ngjarje shumë më e rëndësishme se sa një ngjarje jave, është pikërisht buxheti. Fokusohem tek java meqenëse java që sapo mbyllim sot ishte edhe java kur në Kuvendin e Shqipërisë u miratua buxheti i shtetit për vitin 2012. Natyrisht diskutimi, debati dhe ç’është më e rëndësishmja miratimi i buxhetit të shtetit është padyshim, jo vetëm aksioni më i rëndësishëm politik i qeverisë dhe i mazhorancës por është ngjarje e rëndësishme që i kalon caqet e një miratimi të thjeshtë të një ligji të Kuvendit sepse buxheti i vitit projekton dhe konturon të gjithë trasenë e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit për vitin 2012. Nga kjo pikëpamje do të ishte padyshim një vlerë e shtuar dhe një tregues shumë pozitiv nëse edhe opozita do ta votonte buxhetin. Gjithsesi edhe debati, edhe seanca e tej zgjatur shprehu në thelb rëndësinë dhe seriozitetin me të cilin Kuvendi u investua në miratimin e buxhetit të vitit 2012. Në vlerësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, padyshim që ky buxhet nuk është më i miri i mundshmi apo nuk është buxheti që ne do të donim t’i ofronim shqiptarëve dhe vendit në vitin 2012 që është edhe viti jubile i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ajo që është e rëndësishme dhe që dua ta theksoj ka të bëjë me faktin se ne e vlerësojmë këtë buxhet si një projekt ambicioz, serioz, shumë realist të qeverisë që shpreh në thelb impenjimin maksimal për të bërë më të mirën e mundshme në kushtet dhe në realitetin  zhvillimeve globale, që nuk mund të jenë pa ndikim edhe në realitetin e zhvillimi në Shqipëri, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar dhe tek harmonizimi i politikave fiskale me ato monetare”, u shpreh Luan Rama. Ai theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm, vazhdon t’i përmbahet prioriteteve të mazhorancës për ruajtjen e trendit të rritjes ekonomike, kontrollimin e deficitit buxhetor si dhe realizimin e investimeve. “Pa dyshim që ka qenë një sfidë me shumë përgjegjësi, miratimi dhe i gjithë angazhimi për ta bërë të mundur këtë por natyrisht mbetet sfida më e madhe realizimi i këtij buxheti i cili edhe në kontekstin e zhvillimeve ekonomike globale me ndikim në ekonominë e vendit ka si prioritet mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit kombëtar. Pavarësisht kësaj prioritet e buxhetit të miratuar janë njëherësh edhe prioritet e të gjithë investimit politik dhe qeverisës të LSI-së sepse në këtë buxhet vazhdon të ruhet trendi i rritjes së investimeve në sektorët prioritarë, në sektorët me impakt më tog madh në jetën ekonomike dhe sociale të vendit duke veçuar në këtë kontekst prioritete evidente që kanë të bëjnë me investime në sektorin e arsimit, në sektorin e shëndetësisë, në investimet që do të vazhdojnë të jenë prioritare duke e argumentuar në këtë mënyrë atë që e theksova edhe më lart që ka të bëjë me stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makroekonomike. Ajo çka mbetet dhe që padyshim është sfida më e madhe e gjithë shoqërisë shqiptare është realizimi i këtij buxheti. Edhe në kuadër të reflektimit dhe të angazhimit jo vetëm me pjesëmarrje në Kuvend do ta ftoja opozitën të bëhet pjesë e angazhimit të madh dhe e kontributeve pozitive për ta realizuar këtë buxhet sepse në fund të fundit ky nuk është buxheti i mazhorancës, nuk është buxheti i qeverisë por është buxheti i shtetit dhe i gjithë impakti dhe të gjitha ndikimet e tij janë të lidhura me jetën e çdo familjeje, me jetën e çdo qytetari dhe çdo shtetasi të Republikës së Shqipërisë”, vijoi Rama. Lidhur me pikat e propozuara nga LSI në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, Rama tha se kjo forcë politike si pjesë e mazhorancës ka qenë pjesë e hartimit të draftit të buxhetit. “Është një tërësi çështjes sepse duke qenë pjesë e mazhorancës qeverisëse, pra duke qenë në thelbin e investiturës qeverisë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë pjesë e hartimit të buxhetit që prej embrionit e deri sa u finalizua ai më miratimin në Kuvend. E theksova që padyshim edhe për shkak të vizionit tonë politik dhe qeverisës, edhe për shkak të investimit tonë trendët e së cilit janë në thelb europeiste, ne i kemi kushtuar maksimalisht seriozitet fillimisht ruajtjes së treguesve themelore mbi të cilët ndërtohet buxheti, atyre që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Duke reflektuar me shumë seriozitet dhe maturi edhe atë se çfarë ka ndodhur në disa prej vendeve fqinje, ne jemi treguar të kujdesshëm që në tërësinë e vet buxheti të jetë realist, të jetë një buxhet i realizueshëm në buxhet, pra për të mos planifikuar tregues që janë të pamundur  thjesht dhe vetëm për të bërë një buxhet politik, por duke qenë se në thelbin është politik në raport me atë se vetë buxheti ofron realizimi ka qenë dhe mbetet një tjetër vlerë e këtij buxheti për të cilin ne jemi investuar maksimalisht. Duke qenë se sektorët që LSI ka në përgjegjësi të drejtpërdrejtë në qeverisje në kemi bërë kujdes që të ruhet trendi i rritjes në investime në sektorë prioritarë ku do të veçojë sistemin e shëndetësisë. Ne kemi angazhuar një trup të tërë ekspertësh të njohur të fushave të ndryshme dhe kontributet e tyre janë në të gjithë elementët përbërës të buxhetit duke pasur parasysh ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, me rritjen e vëmendjes së asaj se çfarë qeveria parashikon në buxhet për sektorët jetikë, në mënyrë të veçantë me ato që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e drejtpërdrejta dhe që lidhen me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Duke u ndalur në fusha specifike, Rama tha se vëmendje i është kushtuar buxhetit të mbrojtjes, si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe reformat që duhen realizuar në Forcat e Armatosura. “Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe natyrisht mbetet prioritet edhe çështja e buxhetit të mbrojtjes duke respektuar të gjitha detyrimet dhe duke planifikuar në këtë kontekst edhe të gjitha angazhimet e rëndësishme që Shqipëria ka marrë përsipër duke e konkretizuar këtë angazhim me misione të shumta në të gjitha ato hapësira të globit ku veprojnë apo ku janë të angazhuar NATO dhe struktura e saj. Në funksion të këtij angazhimi, ne në proces dhe në mënyrë të veçantë edhe në sektorë ku kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë në qeverisje do të kemi një proces të tërë angazhimesh dhe kontaktesh me publikun për ta përkthyer dhe për ta bërë buxhetin, në detajet e veta, të prekshëm për qytetarët pasi procesi i transparencës dhe procesi i bashkëpunimit me qytetarët nuk është vetëm për reformën zgjedhore, është për qeverisjen. Ne jemi të investuar për një qeverisje të mirë, për një qeverisje që shkon më pranë qytetarit dhe brenda kësaj filozofie dhe procesi i përkthimit në terma më divulgativë për publikun mbetet një çështje për të cilën ne do të angazhohemi në proces”, Përfundoi Luan Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›