“Dhomë Administrative në Gjykatën e Tiranës, derisa opozita të japë votat”
Zgjidhja për Gjykatën Administrative, flet ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi
Pas përpjekjeve më shumë se tre vjeçare për të votuar në parlament me shumicë të cilësuar projektligjin “Për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” e për pasojë dështimin e kësaj odiseje që do të sillte funksionimin e Gjykatës Administrative, ministri i drejtësisë Eduard Halimi, zbulon “asin nën mëngë” që sjell sipas tij fitoren e lojës. Gjatë një deklarate për mediat, Halimi tregon strategjinë që po vihet në zbatim në rast se projektligji nuk votohet dhe që ka lidhje me ngritjen e Dhomës Administrative. “Nuk do të presim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë sepse është një godinë tjetër që do të jetë e përkohshme për Gjykatën Administrative. Godina është në rrugën ‘Don Bosko’. Është marrë në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe do përdoret për funksionimin e Gjykatës Administrative. Kemi punuar ngushtë me zyrën e administrimit të buxhetit gjyqësor gjatë kësaj kohe. Ata kanë përfunduar procesin e tenderimit për projektin dhe godina e gjykatës administrative do jetë e gatshme brenda 6 muajsh të vitit 2012. Në rast se deri në atë kohe nuk do të kemi pëlqimin për Gjykatën Administrative, aty do të vendoset Dhoma Administrative. Kjo zgjidhje, pra një zgjidhje teknike për t’i dhënë zgjidhje problemit të biznesit, qytetarëve për problemet administrative, do të jepet shumë shpejt. Qoftë nëpërmjet një akti të ministrit apo nëpërmjet ligjit të miratimit të Gjykatës Administrative. Ajo që është e sigurt është se brenda 6 mujorit të parë të vitit 2012-ë, do ta gjejë Tiranën me Gjykatë Administrative, ose me Dhomë Administrative”, shprehet Halimi. Sipas ministrit të Drejtësisë, po bëhet një studim për rishpërndarjen e gjyqtarëve, nga i cili synohet përqendrimi i gjyqtarëve në gjykatat më të mëdha e më tej 16 prej tyre do të kenë statusin e gjyqtarit administrativ. “Ekspertët e Bashkimit Evropian janë duke e përfunduar këtë raport dhe menjëherë pasi projekti të përfundojë, menjëherë pasi ky raport të përfundojë, ministri do të fillojë procedurat përkatëse. Nuk kërkon një ligj të posaçëm, pasi procedurat ndiqen mes ministrit dhe presidentit. Rritja e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës do të na sjellë edhe ndarjen e gjykatës në një dhomë të tretë, ashtu siç u nda në vitin 2008-ë në dhomë Penale dhe dhomë Civile, në një dhomë të tretë, në Dhomë Administrative. Në momentin që opozita do ta japë pëlqimin për gjykatën administrative, kjo dhomë padyshim që do të quhet gjykata administrative”, tha më tej, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Në shtator të vitit të kaluar parlamentarët nuk arritën të ngrenë të paktën 84 kartona jeshilë për projekt ligjin e Gjykatës Administrative, çka solli dhe kritikat e shpeshta të Ambasadës Amerikane sepse ishte USAID që financonte me 16 milionë dollarë ndërtimin e kësaj gjykate. Aktualisht drafti më i rëndësishëm që ka lidhje me reformën në Drejtësinë shqiptare vazhdon të mbetet pezull, në pritje të shprehjes së vullnetit nga Partia Socialiste.
...