Biznesi: Dogana po godet prodhuesit vendas me taksa
Përplasja
Industrialistët: Referencat doganore favorizojnë importuesit
Administrata doganore vazhdon të jetë pengesë për zhvillimin e biznesit. Faktet i jep vet sipërmarrësi privat, i cili ankohen për procedura selektive të doganave sa i takon vendosjes së referencave. Sikurse është vërtetuar me shifra se dogana një pjesë të të ardhurave i garanton padrejtësisht duke vendosur çmime referencë mbi produktin e importuar, një tjetër ankesë vjen kësaj here nga biznesi industrialist. Konfindustria, bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industriale të vendit, vëren me shqetësim dhe në mënyrë të përsëritur, se sistemi i referencave doganore po godet ashpër prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë prodhimet e importit. “Janë prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave, industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike etj”, thotë Gjergj Buxhuku.
Prej disa muajsh biznesi i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të ndërhyrë në kohë sa më shpejt për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zërit “prodhim i gatshëm” të importit, shumë prej të cilave janë mjaft më të ulëta sesa vlerat e tregut ndërkombëtar. Sipas Buxhukut, deri më sot nuk ka veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes.
Për biznesin gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese, kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gusht-shtator 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, që vërehet rritje e konsiderueshme e referencave doganore të lëndëve të para të importit. Biznesi gjykon se, zbatimi i sistemit të referencave doganore krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet doganore.
#