E Diel, 1 Nëntor 2026

Cigaret, udhëzim i ri faturat

TVSH

Drejtoria e Tatimeve ka përcaktuar një skemë të re për llogaritjen e detyrimit ndaj tregtarëve që shesin artikuj të duhanit. Përmes një shkrese dërguar drejtorive nëpër rrethe, Tatimet sqarojnë se, TVSH do t’i merret vetëm importuesit, kurse tregtarit do t’i llogaritet TVSH vetëm te fitimi i komisionit. Referuar udhëzimit nr.17 të Ministrisë së Financave, pika 9.5, sqarohet se, janë furnizuesit kryesorë ata që llogarisin TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të çdo furnizimi që ato kryejnë. Furnizimi i cigareve në vazhdim nga furnizuesit e ndërmjetëm, për furnizues të tjerë të ndërmjetëm apo për njësitë e shitjes me pakicë, do të konsiderohet jashtë objektit të TVSH-së dhe këta persona blerës nuk kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e faturuar nga furnizuesit kryesorë në lidhje me atë furnizim. “Fatura e lëshuar nga furnizuesit e ndërmjetëm dhe hallkat në vazhdim do të jetë faturë tatimore, por në kolonën e TVSH-së së saj nuk paraqitet TVSH”, nënvizojnë Tatimet. Ndërkohë, komisioni i përfituar nga furnizuesit e ndërmjetëm është i tatueshëm si furnizimi i një shërbimi kryer prej tyre. Mbi vlerën e tij zbatohet TVSH në shkallën tatimore 20%, e cila është e kreditueshme për përfituesin e shërbimit brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit të TVSH-së. Nëse tatimpaguesi që merr furnizimin e parë, është tatimpagues i taksës vendore mbi biznesin e vogël (jo tatimpagues i TVSH-së), ai do t'i faturojë furnizuesit kryesor vlerën e ndërhyrjes në treg, pa llogaritur TVSH-në.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›