E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Energjia, të ulet çmimi vitin e ardhshëm

10/12/2010  DHTI kërkon nga qeveria të bëjë presion mbi “CEZ” për të ulur çmimin

Kompania e shpërndarjes së energjisë “CEZ Shpërndarje” ka të gjitha mundësitë që të ulë çmimin e energjisë vitin e ardhshëm. Duke përshëndetur vendimin e ERE-s për të mos rritur çmimin e energjisë nga 1 janari 2011, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës kërkon nga qeveria që të bëjë presion ndaj kompanisë private çeke për të ulur çmimin. Sipas një njoftimi të DHTI-së, janë të gjitha kushtet për uljen e çmimit, si për qytetarët dhe për biznesin. “Për këtë do të ishte mirë që edhe qeveria të ushtronte një presion pozitiv mbi kompaninë”, - thekson njoftimi.

Çmimet e energjisë

Sipas Dhomës së Tregtisë, “CEZ” mund ta ulë çmimin e energjisë elektrike për 3.2 milionë shqiptarë konsumatorë. “Dhoma konstaton se qytetarëve dhe biznesit nuk u interesojnë arsyetimet nëse qeveria nuk e rrit çmimin e energjisë, ngaqë 2011-a është vit zgjedhor. Rëndësi merr një arsyetim tjetër. Viti 2010 do të mbahet mend si vit rekord i prodhimit të energjisë elektrike, për shkak të reshjeve të bollshme që ranë dhe ende po bien këtë vit. Dhe kur rritet prodhimi, normalisht duhet të bjerë çmimi. Kjo po ndodh. KESH, struktura shtetërore prodhuese e pjesës më të madhe, mbi 96 për qind të energjisë elektrike sot në vend, do tia ulë për vitin 2011 çmimin e energjisë që i shet kompanisë “CEZ” nga 20.3 lekë të vjetra për kilovat orë, në vetëm 14.8 lekë të vjetra. Pra, një ulje mbi 30 për qind e “lëndës së parë”. Sigurisht që “CEZ” merr frymë e lehtësuar”, - thekson njoftimi. Edhe ulja e çmimit për konsumatorët ndoshta mund të mos jetë me 17 për qind, sa diferenca mes uljes që do ti bëjë KESH dhe kërkesës së saj për ngritje të çmimit të energjisë që ua shet konsumatorëve. Opinioni publik madje nuk do të çuditej nëse kjo kompani gjatë 2011-ës të mbajë fjalën për investimet e premtuara.

Kursimi

Vendimi i ERE-s për të mos rritur çmimin e energjisë, sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është mirëpritur nga komuniteti i biznesit, sidomos sipërmarrjet prodhuese të tij, të cilat harxhojnë sasi të mëdha energjie elektrike. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të saj, ky vendim i kursen të 3.2 milionë konsumatorëve shqiptarë, banues në Shqipëri dhe përdorues të rregullt të energjisë elektrike rreth 12 milionë euro, të cilat qytetarët do të mund ti përdorin për të blerë mallra e shërbime të tjera gjatë vitit të ardhshëm”, - thekson njoftimi i DHTI-së, me anën e të cilit ky institucion përshëndet vendimin e ERE-s për të mos e rritur çmimin e energjisë. Gjithashtu edhe biznesi kursen miliona euro, që sipas DHTI-së, do të përkthehen në hapje vendesh të reja pune, apo kapitale shtesë të investuara nga sipërmarrja. Vendimi i ERE-s

Çmimet e energjisë nga 1 janar 2011 nuk ndryshojnë. Familjarët do të paguajnë mesatarisht 9.53 lekë për kilovat orë. Kush konsumon deri në 300 kilovat orë në muaj do të paguajë 7.7 lekë për kilovat orë, për konsum më shumë se 300 kilovat orë paguan 13.5 lekë për kilovat orë.

Tarifa fikse

Enti Rregullator i Energjisë ka lënë të pandryshuar çmimet edhe për pagesën fikse, prej 200 lekë në muaj për faturën për abonentët familjarë. “CEZ” kërkoi që të hiqej kjo tarifë duke vendor tarifa për matës për të gjithë konsumatorët.

Bizneset

Çmimi i energjisë për bizneset dhe institucionet shtetërore, në varësi të linjave prej nga ku furnizohen nuk do të ndryshojë për 2011. Për industrinë çmimi është 10.5 lekë për kilovat orë, bizneset në tregti dhe shërbime paguajnë 12.2 lekë për kilovat orë, furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit 7.6 lekë për kilovat orë, subjektet në bujqësi 10.5 lekë për kilovat orë, bizneset e tjera 12 lekë për kilovat orë, ndërsa institucionet buxhetore 14 lekë për kilovat orë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›