E Diel, 1 Nëntor 2026

Botimet e reja te javes

13/12/2010  Monologu i Fugës

Titulli: Monolog

Autori: Artan Fuga

Subjekti: Shkenca sociale

Artan Fuga është profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i doktoruar në filozofi dhe më pas në shkencat e komunikimit dhe informimit publik. Autizmi mbetet mekanizmi thelbësor i funksionimit të mediave totalitare. Ato perceptojnë si informacione vetëm të dhënat informative që janë në përputhje me parimet ideologjike dhe politike që i drejtojnë. Shohin atë që duan të shohin, dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë. Mendohet se publiku flet dhe reagon njësoj si media. Se, në parim, midis publikut dhe medias nuk ka asnjë dallim. Pushteti, mediat e kohës dhe publiku shpallen se janë e njëjta gjë: një unitet i tre elementëve që, vetëm në pamje relative dhe shumë të sipërfaqshme duken si të veçuar prej njëri-tjetrit. Nga kjo pikëpamje, vetëm sistemi i komunikimit brenda tyre mbetet një monolog gjigant, një e folur më vete, një komunikim me veten. Pra, një lloj autizmi kolektiv me përmasa të gjëra dhe për disa dekada me radhë, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndihen në opinionin publik shqiptar edhe shumë vite pas rënies së atij që quhej modeli socialist i shoqërisë shqiptare.

Titulli: I ardhur në jetë

Autori: Margaret Mazzantini

Shqipëroi: Mimoza Hysa

Roman

Xhema, një grua e plagosur nga e kaluara, lë në tokë jetën e saj të zakonshme dhe merr avionin së bashku me të birin, Pietron, një djalosh gjashtëmbëdhjetëvjeçar, për të shkuar së bashku në Sarajevë, në një qytet kufi mes Lindjes dhe Perëndimit. E pret në aeroport Gojkoja, një poet boshnjak, miku i saj më i mirë, i cili, gjatë olimpiadës dimërore në Sarajevë, më 1984, e ka njohur me Diegon, fotografin e pellgjeve me ujë, dashurinë e jetës së saj. Romani rrëfen historinë e rrëmbyer të dy të rinjve që lufta i plak “rrufeshëm”. Një histori dashurie marramendëse, plot mangësi, siç janë të gjitha dashuritë e vërteta, njëkohësisht, historia e një mëmësie kërkuar me ngulm, të mohuar, të shpaguar. Rrugëtimi i mistershëm i një lindjeje që shpërfill gjithë ligjet e shkencës dhe biologjisë e që ndërkallet në placentën parahistorike të një lufte, e cila ndërsa vret gjallon jetë. Në këtë afresk monumental hije-drite, intimo-social, zërat e dy të rinjve herë bashkohen e herë këputen mes barkut të Xhemës dhe barkut të qytetit të përgjakur. Aventura e Xhemës dhe e Diegos është edhe historia e ne të gjithëve, sepse Margaret Mazzantini ka shkruar një roman të guximshëm bashkëkohor. Roman paqeje dhe lufte. Paqja është shterpësia e tymtë e Perëndimit të flakësht nga egoizmi, të përhumbur në mirëqenie. Lufta është guximi i një gruaje kundër natyrës, një beteje të skajshme përtej kornizave ligjore. Rrethimi i Sarajevës shndërrohet në rrethimin e një burri dhe të një gruaje ndaj fëmijës, rrugëtimi i tyre për t`u bërë prindër kthehet në një mundim epik, në një përrallë të rëndë si padrejtësia dhe të shndritshme si mrekullia.

Titulli: Shkrimi sekret

Autori: Sebastian Barry

Shqipëroi: Eta Llambro

Roman

Ky roman rrëfen për një histori epike të dashurisë, tradhtisë dhe tragjedisë së pashmangshme.

Në rininë e saj, Rozanë MekNalti, ishte një nga vajzat më të bukura të Sligos. Në prag të të njëqindtave, ajo shkruan për të kaluarën e saj dhe dorëshkrimin e ruan nën dyshemenë e drunjtë të dhomës. Ajo mëson se Spitali Psikiatrik rajonal i Roskomonit, vendi ku ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës, do të mbyllej dhe doktor Grinit, kujdestarit të saj i ishte caktuar që të vlerësonte gjendjen e pacientëve dhe të vendoste nëse ata mund t`i ktheheshin jetës normale. Roznana përballet me një të ardhme të pasigurt. Doktor Grini kërkon që të zbulojë nëse Rozana është vërtet e çmendur apo kanë qenë rrethana të tjera ato të cilat e kanë sjellë në Roskomon. Në përpjekje për të kuptuar njëri-tjetrin, ata fillojnë të zbulojnë sekrete të varrosura prej kohësh për veten e tyre.

Me librin e tij të fundit “Shkrimi secret”, Sebastian Barry fitoi çmimin “James Tail Black” për letërsinë, një nga çmimet më prestigjioze në letërsinë angleze, si dhe çmimi më i vjetër në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, me këtë libër ka fituar edhe çmimin “Costa Book of the Year”. Barry ka qenë dy herë fitues i çmimit “Man Booker”.

Titulli: Bodrumi i Ali Babait

Autori: Valerio Pellizzari

Përkthyes: Aleksandër Furrxhi

Subjekti : Letërsi dokumentare, gazetari publicistike

Çmimi: 700 L

Autori ka ndjekur konfliktet dhe zhvillimet politike në tridhjetë vitet e fundit në Lindjen e Largët dhe të Mesme, në Azinë Qendrore, në Zagreb dhe në Evropën Lindore.

Titulli: Sportel i hapur i shqipes

Autori: Kristina Jorgaqi

Subjekti: Gjuhësi

Çmimi: 800 L

Dyshimet, pasiguritë, por edhe gabimet gjuhësore janë shtuar mjaft ndër të gjithë përdoruesit e shqipes këto dy dekadat e fundit...Pikërisht për të fashitur shumë dyshime e paqartësi, por edhe për të ndrequr gabime që bëhen rëndom, lexuesit i vjen në dorë ky libër mjaft praktik, i shkruar me gjuhë të qartë e të thjeshtë...

Titulli: E Drejta Penale Evropiane

Bashkautorë: Jean Pradel; Geert Corstens; Gert Vermeulen

Përkthyes, Redaktor : Edmond Xhabija; Valbona Nano

Subjekti: Juridike

Çmimi: 1500 L

E Drejta Penale Evropiane përbëhet nga një tërësi normash të përpunuara nga organe mbikombëtare dhe të përbashkëta të 27 Shteteve të Bashkimit Evropian apo të 47 Shteteve të Këshillit të Evropës.

Titulli: Perandoria e së Keqes kundër Djallit të Madh, trembëdhjetë shekuj mendësi lufte midis islamit dhe perëndimit

Autori: Claude Liauzu

Përkthyes, Redaktor: B. Muça, L. Papa, B. Veliaj

Subjekti: Histori

Çmimi: 1200 L

Fantazma e islamit e mundon perëndimin. Fantazma e perëndimit e mundon islamin. Që prej 11 shtatorit 2001 liderët e të dy kampeve u bien kambanave të luftës.

Titulli: Vampiri i vogël në luginën e Rrëmetit 7

Autori: Angela Zomer-Bodenburg

Përkthyese: Viola Bazelli

Subjekti: Letërsi për fëmijë

Roman

Çmimi: 500 L

Antonin e ka marrë malli për shokët e tij vampirë, të cilët jetonin në zgavrën e varrezave lokale....

Titulli: Vampiri i vogël në dëshpërim 8

Autori: Angela Zomer-Bodenburg

Përkthyese: Viola Bazelli

Subjekti: Letërsi për fëmijë

Roman

Çmimi: 500 L

Vampiri i vogël hungëron pa pushim në gërmadhat e kështjellës në luginën e Rrëmetit...

Titulli: Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar

Autori: Visar Zhiti

Subjekti: Analizë

Çmimi: 500 L

A ka pasur letërsi të dënuar? Që vjen nga burgjet? Disidencë në letrat shqipe? Çndodhte me ata shkrimtarë shqiptarë të internuar apo të futur burgjeve gjatë diktaturave? Po si përfunduan, p.sh, Autori i romanit të parë shqiptar, shkrimtarja e parë grua etj.

Halil Elezi: “Pesëqind kallëzime popullore me bisht”

Këto ditë doli nga shtypi libri “Pesëqind kallëzime popullore me bisht” i autorit Halil Elezi. Autori ka përmbledhur kallëzime të shkurta popullore, rrotulla, pleqëri, mesele, hiqaja, përfshi edhe fjalë të urta, që përcjellin një mësim a filozofi të caktuar. Siç thotë edhe vetë në parathënie, janë vlera që i ka dëgjuar e shënuar me durim gjatë shumë viteve, krahas punëve të ndryshme që ka bërë. Disa janë ndodhi të njëmendta, duke kaluar gojë më gojë kumti i tyre është përsosur. Prej kohësh botime të këtij lloji janë tepër të rralla ose mungojnë fare në libraritë tona, çka ia shton vlerat përmbledhjes “Pesëqind kallëzime popullore me bisht”. Duke i dhënë në të folurën e krahinës ku janë mbledhur, këto tregime shquhen edhe për pasurinë gjuhësore.

Titulli: Shëmti e përkryer

Autori: Arthur Japin

Shqipëroi: Brunilda Nebo

Roman

I joshur nga një episod i jetës së të famshmit, Xhiakomo Kazanova, i dashurisë së tij të pashpresë ndaj gruas që e lëndoi në rininë e tij, para se të bëhej ai që u bë. Arthur Japin ndërton një libër plot histori, jetë dhe emocion. Ftohtësia klinike dhe rrëqethëse me të cilën Luçia, e dashura e Kazanovës, rrëfen është tronditëse. Prej një fatkeqësie gati mortale, Kazanova e humb Luçian qysh në krye të historisë, por kur do ta rigjejë atë, vite më vonë, Luçia nuk do të jetë më e njëjta. Shëmtia e saj, e mbuluar me një vel të përkryer prej prostitute klasi, ku jeta e çoi pas një kalvari të gjatë e të dhimbshëm, do t`ia mbyllë për së dyti dhe për së fundi portën për në shpirtin e njeriut që deshi. Ky roman është një rrëfim mbi dashurinë sublime e të pafat dhe një kontribut i ri në njohjen e jetës së një njeriu kureshtar si Kazanova.

Titulli: Deti i Lirë dhe Prolegomena, e “Mbi të drejtën e Luftës dhe të Paqes”

Autori: Hugo Grotius

Përkthyes: Krenar Hajdëri

Subjekti: Filozofi, shkenca politike

Çmimi: 500 L

Deti i lirë, botuar si anonim më 1608 në kontekstin e konfliktit mes Holandës e Spanjës për detin e hapur dhe lirinë e lundrimit e të tregtisë, argumenton se asnjë vend nuk ka pronësi mbi detin e hapur.... Prologomena është një përmbledhje e tezave të librit të tij “Mbi të drejtën e Luftës e të Paqes”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›