E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Jo amnisti për politikanët dhe zyrtarët

Shoqatat kërkojnë që nga amnistia fiskale të përjashtohen zyrtarët publikë

Amnisti, por jo për të gjithë. Ky është konkluzioni i një forumi me dyer të mbyllura që u organizua nga Konfindustria javën e shkuar, ku përfaqësues të biznesit dhe ekspertët diskutuan mbi propozimin për një amnisti fiskale në Shqipëri. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur sakaq në favor të amnistisë, pavarësisht se ende nuk është hartuar asnjë dokument konkret.
“Nga të pranishmit u ra dakord se Falja Fiskale në Shqipëri është e nevojshme për t’u kryer dhe njëkohësisht duhet të përshkohet nga - “parimi i moralitetit” i paraqitur nga Konfindustria. Kjo do të thotë, se duhet të përjashtohen nga Falja Fiskale: -përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe individët drejtues të institucioneve kushtetuese, që kanë qëndruar në detyrë të paktën për 6 muaj”, thuhet në një njoftim për shtyp të publikuar dje. Në takim qenë të pranishëm edhe zyrtarë të administratës tatimore, partive politike dhe prokurorisë, thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.

Kërkohet konfidencialitet

Sipas ekspertëve, në rast se qeveria do të përgatisë një ligj për amnistinë fiskale, në të duhet të përfshihen klauzola të posaçme për ruajtjen e konfidencialitetit, pra mospublikimin e emrave të njerëzve e kompanive që do të përfitojnë nga ky proces.

“Parim tjetër i rëndësishëm në zbatimin me sukses të procesit është parashikimi me ligj i kushtit të mbajtjes së - fshehtësisë së plotë të të dhënave personale për individët dhe subjektet e përfshira”, thuhet në njoftim.

Paratë e zyrtarëve

Janë të shumtë njerëzit që besojnë se një skemë amnistie fiskale në kushtet e sotme të Shqipërisë, nuk ka kuptim për faktin e thjeshtë se paratë e fituara jashtë taksave nuk i nënshtrohen ndonjë procesi verifikimi kur shpenzohen. është pikërisht ky sistem verifikimi që i shtyn vendet perëndimore të kryejnë amnisti fiskale herë pas here, në mënyrë që të tërheqin në atdhe paratë e fshehura nëpër parajsat fiskale si Zvicra. Sot për sot, shqiptarët mund të harxhojnë të gjitha paratë që disponojnë për çfarë të duan dhe askush nuk i pyet për origjinën e kapitalit. Kontroll nuk ka as kur njerëzit regjistrojnë pronat që blejnë në hipotekë apo kur blejnë makina luksoze. Shkurt, paratë që qarkullojnë në Shqipëri, pavarësisht origjinës, janë krejtësisht të ligjshme. Por janë një kategori shqiptarësh, të cilët i nënshtrohen një procesi vetëdeklarimi për origjinën e parave të veta, ndërsa vetëdeklarimet i nënshtrohen një kontrolli rastësor. Këto janë rreth 8500 vetë në total, të cilët mbajnë poste publike apo janë politikanë. Ata duhet të deklarojnë të ardhurat, burimin e krijimit të të ardhurave dhe pasuritë që kanë bërë. Kanë filluar të deklarojnë pasuritë e tyre në vitin 2004 dhe në rast se gënjejnë, rrezikojnë të përndiqen penalisht. Por përndjekjet penale nuk kryhen për efekt fiskal, pra askush nuk pyet nëse janë paguar taksat për paratë e vëna nga zyrtarët e lartë. Për më tepër, vetë politikanët, të cilët e miratuan ligjin për deklarimin e pasurive nën presionin e ndërkombëtarëve, i kanë gjetur me lehtësi mënyrat ligjore për të shmangur hetimet dhe deri më sot, gjashtë vjet pas fillimit të zbatimit të ligjit, asnjë zyrtar i korruptuar nuk rezulton të jetë i dënuar.

Precedenti i amnistisë penale

Në vitin 2007, Parlamenti miratoi një ligj të gjerë për amnistimin e veprave të ndryshme penale, si dhe faljen e pjesshme të dënimeve të ndryshme penale. Fillimisht u duk se nga ky ligj do të përfitonin hajdutët e vegjël, por më vonë, u kuptua se amnistia kishte përfshirë edhe deklarimet e rreme të pasurive nga zyrtarët e lartë që i përkisnin vitit 2004. Kjo qe shumë e rëndësishme për shkak se pasuritë e vëna nga politikanët para vitit 2004, nuk gjurmoheshin nga prokuroria, pasi nuk ka bazë ligjore. Megjithatë, për zyrtarët e lartë ekziston gjithmonë frika se mos dikush i pyet nëse i kanë paguar taksat për pasuritë dhe të ardhurat që kanë deklaruar gjatë viteve të fundit dhe për këtë arsye, dyshohet se synojnë t’i deklarojnë paratë e korrupsionit si fitime në aktivitete ekonomike jashtë sistemit fiskal. Pikërisht kjo kategori shqiptarësh mund të shijojë frytet e amnistisë fiskale që është përkrahur sakaq zyrtarisht nga Ministria e Financave.

Gjoba, shumë e ulët

Amnistia fiskale do të shoqërohet me një “gjobë”, një taksë për paratë e deklaruara. Propozimet variojnë: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë propozon gjobë në masën 5 për qind; ministri i Financave, Ridvan Bode, thotë se për kompanitë mund të jetë 10 për qind dhe për individët, diçka më e ulët. Konfindustria propozoi dje që gjoba të jetë 3 për qind për ata që vetëdeklarohen të parët dhe 8 për qind për ata që vetëdeklarohen në fund. Të gjitha propozimet janë shumë më të ulëta sesa taksat e fshehura, për shkak se mënyra më e zakonshme e evazionit fiskal në Shqipëri konsiston në falsifikimin e librave të shitjeve dhe fshehjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili është 20 për qind mbi vlerën e mallrave të shitura.

Fondi Monetar Ndërkombëtar nga ana e vet është shprehur kundër amnistisë fiskale me argumentimin se në këtë mënyrë, edhe tatimpaguesit e rregullt do të diskurajohen dhe do të shtyhen të fshehin taksat si të tjerët, pasi dihet që pas disa vitesh, qeveria mund të ndërmarrë një amnisti tjetër fiskale. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me amnistimin e faturave të dritave. Konsumatorët që nuk kanë paguar energjinë e konsumuar, kanë përfituar disa herë falje gjatë viteve të fundit, por kjo nuk ka sjellë përmirësim të pagesave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›