E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit do të kërkojë rikthimin e komandove

Rekomandimi/Ushtarakët, ndëshkim administrativ i bazuar në Kodin Penal Ushtarak

Largimi nga puna i 33 komandove nuk do të kalohet lehtë, pasi Avokati i Popullit, pas inspektimit të fundit në repartin special të ushtrisë shqiptare do të paraqesë edhe rekomandimin e tij. Inspektorët e këtij institucioni kanë filluar të shqyrtojnë të gjitha materialet që u janë vënë në dispozicion në lidhje me masat që u janë dhënë komandove, por edhe eprorëve të tyre sapo ata u kthyen nga misioni në Herat të Afganistanit. Pasi kanë marrë deklarimet inspektorët kanë konstatuar se masat ndëshkimore ndaj tyre janë dhënë duke u bazuar në Kodin Penal Ushtarak.

Problematika

Nisur nga letra që komandot e larguar nga detyra i drejtuan zyrës së Avokatit të Popullit, inspektorët e këtij institucioni të pavarur shkuan në repartin special për të pyetur atje eprorët e tyre. Procedura e marrjes në pyetje ka zgjatur disa orë dhe kanë dhënë shpjegime për rastin në fjalë edhe drejtuesit e operacionit në Herat. Një prej drejtuesve të operacionit jashtë vendit ka thënë se komandot kishin bërë një peticion me shkrim qeverisë për mostatimin e pagave dhe ngritjen e shpërblimit për shërbimin që kryenin. Sipas të dhënave, peticioni është firmosur nga 78 veta, ndërsa me masa u ndëshkuan vetëm 33 prej tyre. Po ashtu, ushtarakëve u takon të ankohen për të drejtën e tyre, madje aq më tepër kur bëhet fjalë për shpërblimin dhe kushtet e jetesës dhe akomodimit në shërbime jashtë vendit. Komandot në asnjë rast nuk kishin refuzuar shërbimin, apo të kenë kundërshtuar kryerjen e detyrave në Herat, të përcaktuara këto në urdhrin ku ato precizohen. Sipas inspektorëve të Avokatit të Popullit, kërkesa e komandove u plotësua nga qeveria pas reagimit të tyre, pse duhet të ndëshkoheshin ata. Shpërblimi për komandot, me një vendim qeverie është rritur nga 60 euro në 80 euro dita dhe ky shpërblim është i patatueshëm. Po burime nga ky institucion shpjeguan se masa janë dhënë vetëm për 33 prej komandove, pra 40 për qind e tyre, kur firmëtarë të peticionit janë edhe të tjerë. Kur Avokati i Popullit ka pyetur juristët e repartit se ku ishte bazuar vendimi për largimin e tyre, ata kanë shpjeguar se gjithçka ishte bazuar në Kodin Penal Ushtarak. Kjo, sipas institucionit të Avokatit të Popullit është shkelje, pasi nuk mund të jepen masa administrative bazuar në këtë KP Ushtarak. Nëse ata do ta konsideronin vepër penale të gjithë duhet të procedoheshin penalisht. Ajo që është vënë re nga Avokati i Popullit është edhe ndëshkimi i eprorëve të misionit, të cilët nuk e kanë firmosur peticionin dhe motivi për këtë ka qenë se “nuk i kishin edukuar vartësit të zbatonin rregullat”. Përveç transferimeve, ka edhe ulje në detyra apo dhe kalimi nga drejtimi i trupës, në specialitete si armatimi apo diku tjetër. Sipas specialistëve, nëse do të mbahej përgjegjësi për ankesën e komandove, ajo do të vinte shkallë-shkallë, por nuk janë prekur aspak komandat eprore. Avokati i Popullit do të dalë së shpejti me një rekomandim zyrtar, ku do të sugjerojë kthimin në punë dhe detyra për të gjithë të ndëshkuarit.

Peticioni

Drejtuesit e ushtrisë shqiptare ndëshkuan pak kohë më parë komandot, të cilët shërbenin në Afganistan, pasi guxuan t’i dërgonin një peticion qeverisë shqiptare për të rritur shpërblimet për ta. Thuajse e gjithë kompania që shërbeu në Herat, në misionin e fundit, u ndëshkua disiplinarisht nga ulja në gradë e deri te largimet nga radhët e ushtrisë. Nënoficerë, rreshterë apo tetarë dhe oficerë kanë marrë ndëshkime disiplinore për ankesë kolektive. Drejtuesit e repartit më special të Forcave të Armatosura, thanë se ata kishin ulur dinjitetin e vendit në misionet jashtë shtetit. Komandot e gradave të ulëta janë përjashtuar nga radhët e Forcave të Armatosura, ndërsa oficerët e tyre janë ulur në gradë dhe transferuar në reparte të tjera në Tiranë e rrethe. Shkak për këtë është bërë një peticion që komandot i kanë dërguar Ministrisë së Mbrojtjes në fund të vitit të kaluar, ku e kushtëzonin rritjen e pagës me kthimin në atdhe. Kompania që u kthye së fundi nga Afganistani nuk është pritur me ceremonitë e zakonshme në këto raste, e madje sapo është bërë nisja e kontingjentit tjetër kanë nisur analizat për “rebelimin” e tyre muaj më parë. Përveç përjashtimit të atyre që u quajtën nismëtarë të revoltës, u ndëshkuan edhe komanduesit që jo vetëm janë ulur në gradë, por edhe larguar nga reparti special. Këta të dytët akuzoheshin se kishin qëndruar indiferentë apo dhe nuk i kanë bindur vartësit e tyre për “paligjshmërinë” e ankesës që ata kanë bërë për rritjen e pagës. është kursyer pjesa tjetër e efektivit të rolit zbatues, pra ushtarët profesionistë, kjo për arsye se nga analiza ka dalë që ata nuk kanë qenë të implikuar zyrtarisht, pra me firma, në këtë kërkesë për ngritjen e pagave. Nga ana tjetër, ushtarakët pretendojnë se ata kanë kërkuar diçka që u takonte, pasi edhe në kontratë parashikohej që rroga të ishte 60 dollarë në ditë pa tatime, kurse me një vendim të qeverisë u tatohej 10 për qind, gjë që e zvogëlonte shpërblimin e tyre. Ata kërkonin rritjen e pagës nga 60 në 80 dollarë në ditë dhe mos tatimin e saj. Madje, ishin të prerë në kërkesë aq sa nëse ajo nuk realizohej kërkonin kthimin e menjëhershëm në Shqipëri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›