E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca, gati gjygji për prokurorinë

Ina Rama pritet që të raportojë në Kuvend. Alibeaj: Ka kritika për organin

Prokuroria pritet të jetë institucioni i radhës kushtetues që do të përballet nga furia e mazhorancës në Parlament. Pas kritikave më shumë se të “hidhura” ndaj Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioni kryesor i akuzës pritet që së shpejti të raportojë në Kuvend, ku sipas të gjitha gjasave do të pësojë një rezolutë therëse. Në fakt, problemet me prokurorinë janë cituar në disa raporte që janë mbajtur në Parlament nga disa institucione të pavarura, të cilat nuk kanë pasur përplasje me deputetët demokratë, siç janë Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve dhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive. Një nga deputetët e PD-së, anëtar i Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore, gjatë një deklarimi për mediat ka ritheksuar problemet e organit të akuzës me ekzekutivin. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se kontrollet periodike individuale ose në total të Inspektoratit të Ministrisë kanë faktuar pikërisht shumë nga shkeljet për të cilat “akuzohet” organi i akuzës. “Ka rezultuar që një sërë çështjesh, një numër prokurorësh në veprimtarinë e tyre kanë bërë që të mos respektohen afatet e hetimit, të mos ketë standard unik dhe të njëjtë në trajtimin e çështjeve të ngjashme. Dhe të gjitha këto janë të pasqyruara në raportet përkatëse që i janë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme”, tha deputeti Enkelejd Alibeaj. Por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, në raportimin e tyre vjetor kanë akuzuar prokurorinë për paaftësi. Sipas ish-ministrit, akuza është tërësisht apolitike dhe do të verifikohet në Komisionin e Ligjeve gjatë raportimit të Ina Ramës në këtë komision. "Duket të paktën nga pretendimet e drejtuesve të këtyre institucioneve që prokuroria ka çaluar ca, në rastet kur Avokati i Popullit ka parë se shumë çështje zvarriten. Cilësia e hetimit, sipas Avokatit të Popullit, nuk ishte më e mira e mundshme. Apo rasti i paraqitur nga KQZ-ja për standarde të dyfishta. Ndoshta dhe prokuroria kur të vijë para Komisionit të Ligjeve do të thotë si kundërpeshë ndoshta edhe akuzat e veta ndaj këtyre institucioneve”, vijon Alibeaj. Gjatë fundit të javës së ardhshme pritet që në zyrat e Kuvendit të depozitohet edhe raporti i fundit i institucioneve të pavarura, pikërisht Prokuroria e Përgjithshme. Ky raport do të shënojë dhe fundin e raportimit të të gjithë korpusit të organeve kushtetuese, të cilat japin llogari për punën e tyre para legjislativit. Vitin e kaluar, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme Ina Rama nuk mundi të bëjë raportimin e saj vjetor në Kuvend. Ndërkaq, gjatë raportimit që kryeprokurorja realizoi në Parlament gjatë vitit 2008 është braktisur prej deputetëve të mazhorancës që lanë sallën. Por deputetët e mazhorancës nuk e konsiderojnë sensin kritik si një sulm ndaj institucioneve të pavarura. Ligjvënësi i mazhorancës, Eduard Halimi, i tha dje “Shqipit”, se “qëllimi ynë është promovimi i pavarësisë së këtyre institucioneve dhe jo sulmimi i tyre. Edhe kritikat synojnë një rritje të performancës së organeve kushtetuese”. Raporti i prokurorisë pritet të përballet në fillim në Komisionin e Ligjeve, ku sipas të gjitha gjasave do të miratohet një rezolutë detyruese për punën e organit të akuzës për vitin 2010. Dy javët e shkuara kanë raportuar në Kuvend: Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. KLSH-ja dhe Avokati i Popullit janë përballur me sulmet e ashpra të mazhorancës. Kuvendi ka disa kohë që ka konsoliduar organin e monitorimit të institucioneve kushtetuese, që përgatit raporte mbi kontrollin e këtyre organeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›