E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Qeveria të bëjë amnisti fiskale

 
 
Konfindustria thotë se çdo vonesë e Shqipërisë krijon rrezikun e shtimit të daljes së parave shqiptare jashtë vendit, për të kaluar në sistemet bankare të vendeve të tjera
 
TIRANë – Konfindustria i ka kërkuar dje Qeverisë Shqiptare, që në një kohë sa më të shpejtë, të vlerësojë me përgjegjshmëri kryerjen e një amnistie të thellë fiskale në vend, që duhet të prekë pa përjashtim kapitalin, asetet dhe të ardhurat e bizneseve dhe të gjithë qytetarëve shqiptare. Sipas një deklarate për shtyp, Konfindustria thekson se gjendja e vështirë ekonomike e vendit, e përfshirë ndjeshëm nga pasojat e krizës globale financiare dhe ekonomike, e bëjnë domosdoshmëri kryerjen sa më të shpejtë dhe të gjerë të amnistisë fiskale. Vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e dukurisë thellësisht shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi jashtëzakonisht të mëdha jashtë vendit, frenimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi dhe tërheqjen e kursimeve të emigracionit të shumtë shqiptarëve nga bankat e huaja, thuhet më tej në deklaratën e lëshuar për shtyp nga Konfindustria, me administrator Gjergj Buxhukun. Sipas burimeve zyrtare, Konfindustria vlerëson se ka dy arsye të tjera madhore, që e bëjnë jashtëzakonisht të rëndësishme kryerjen e një amnistie fiskale të thellë dhe të shpejtë në vend.
“Së pari, pothuaj të gjithë vendet e BE-së dhe vendet e tjera të Europës kanë kryer ose janë në vazhdim të zbatimit të amnistisë fiskale. Si rrjedhim, çdo vonesë e Shqipërisë krijon rrezikun e shtimit të daljes së parave shqiptare jashtë vendit për të kaluar në sistemet bankare të vendeve të tjera, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sistemin tonë fiskal dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në deklaratën e shtypit. Sipas Konfindustrisë, arsyeja e dytë është kryerja e amnistisë sa më të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse fiskale bëhet domosdoshmëri në kushtet e hyrjes në fuqi të ligjit antimafie, që në rast të kundërt rrezikon seriozisht pasurinë dhe kapitalet e një shumice dërrmuese të biznesit dhe qytetarëve, me pasoja pothuaj shkatërruese mbi ekonominë shqiptare.
“është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësire kohore 20-vjeçare të ndryshimeve të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë, përfshi këtu edhe vendet e BE-së, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë”, theksohet në deklaratën e lëshuar nga ky institucion. “Përmendim që vetëm me amnistinë fiskale në fund të vitit 2009 Italia përfitoi afër 100 miliardë euro të hyra në sistem, ndërkohë që sikundër vendet e zhvilluara të BE-së, në mënyrë të rregullt në çdo 2-3 vjet ky vend kryen amnisti fiskale. Ndërkohë, deri në vende të tilla, si vendi më i varfër në Europë, Moldavia, po kryen me përfitime të mëdha financiare amnisti të thella fiskale”, përfundon deklarata e lëshuar dje nga Konfindustria, që i bën thirrje qeverisë për të bërë një amnisti fiskale, me qëllim që të gjitha paratë të pista apo të pastra të investohen në vend.
 
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›