Sot, Greqia në provën e zjarrit
Kriza
Qeveria greke do të fillojë sot të mbledhë porosi nga investitorët që dëshirojnë të blejnë bonde pesëvjeçare, gjë që konsiderohet nga media ndërkombëtare si një test kyç për aftësinë e këtij vendi për të financuar deficitin e vet. Bondi do të jetë i pari me maturitet të gjatë, që emetohet nga Greqia këtë vit dhe synohet të shitet përmes një sindikate. Athina shpreson të mbledhë mes 3 dhe 5 milionë euro.
“Ministria e Financave fillon ‘kërcimin’ në tregun e bondeve gjatë dy ditëve të ardhshme, gjë që do të dëshmojë nëse qeveria është në gjendje të shesë borxh”, raportoi e përditshmja greke “Kathimerini” në edicionin e së dielës. Të premten, Greqia shpalli planin për të emetuar bondin që do të maturohet më 20 gusht 2015 dhe njoftoi se ka përzgjedhur pesë banka ndërkombëtare investimesh për drejtimin e sindikatës. Marketizimi i bondit ka filluar privatisht shumë ditë më parë. Greqia është duke vuajtur aktualisht nga rritja e shpejtë e interesave të borxhit të vet. Borxhi grek kushton sot gati 3 për qind më shumë se sa borxhi gjerman. Bondet dhjetëvjeçare u shtrenjtuan deri në 6.2 për qind javën e kaluar.
#