Zonat e përmbytura, mbështetje nga Unioni i Kursim-Kreditit
Kur përmbytjet prishën shtëpi, futën prodhimet nën ujë, bagëtinë, po ashtu edhe klientë të Unionit të Shoqërive të Kursim-Kredive nuk i shpëtuan dot kësaj fatkeqësie. Bahri Meti është nga Oblika, ai kishte ndërtuar një serë të vogël në këtë zonë me kredinë që kishte marrë. E me fitimin që nxirrte shlyente këstin mujor dhe nxirrte jetesën për familjen e tij. E gjithë sipërfaqja qe mbjellë me sallatë dhe në pranverë priste të merrte të ardhura prej saj. Puna dhe djersa iu pre në mes, por ai vetë në situatën e rënduar nuk harroi për të shlyer detyrimin. Kësti i kredisë së marrë në SHKK Tarabosh i binte të shlyhej në ato ditë. Ai vajti ditë më ditë dhe detyrimit monetar nuk iu nda... si e zgjidhi, ai e di. Besa në këtë rast ishte dhënë, ai nuk mund të mos e mbante. Ai shleu këstin dhe besën e mbajti. Drejtues të Unionit të SHKK-ve thonë se në zonat veriore vihet re se shlyerja e kësteve kreditore shlyhet në kohë. E shkodranët këtë e lidhin me besën, si ku ajo i jepet njeriut, një banke apo SHKK-ve.
Miranda Mihajli, oficere e kredisë në Shkodër, tregon se kështu vepruan dhe Isa Hasani, Tahir Meti e të tjerë, që u bënë nxitës më pas për të gjithë anëtarësinë e Unionit SHKK, për të dhënë për ta një fond solidariteti.
Ndaj, çdo Shoqëri Kursim-Kredi, nga 105 të tilla, që veprojnë në 16 rrethe të vendit, do të derdhë kontribut monetar në këtë fond, i cili më pas do t’u jepet klientëve në komunat Ana e Malit, Guri i Zi dhe Bushat. Ky kontribut përcjell edhe njëherë solidaritetin, si një nga parimet themelore të Shoqërive të Kursim-Kreditit. E përcjellim këtë fakt në ditën e shënuar të krijimit të Unionit SHKK. Zana Konini, drejtore Ekzekutive e Unionit të SHKK-ve, nuk habitet me reagimin e fermerëve shkodranë, pasi sipas saj, lidhja e fortë që ka unioni, është solidariteti. Në një moment të vështirë të gjithë mbështetin njëri-tjetrin. Ajo premton se fermerët e kësaj zone do të mbështeten me ndihma financiare si dhe me lehtësi financiare në projektet e ardhshme. Ato do të jenë prioritet i kreditimit në këtë zonë. Në 8 vite që kur u krijua SHKK, Konini thotë se janë mbështetur shumë banorë të fshatrave apo zonave rurale, ajo premton se ardhmja premton më shumë. Do jenë me mijëra të tjerë që do të hyjnë në skemën e kreditimit të zonave rurale të Shoqërive të Kursim-Kredive.