Biznesi: Taksa e sheshtë, garanci për investimet e huaja
Ndërsa biznesi këmbëngul për mbajtjen në fuqi të taksës së sheshtë, përfaqësuesit qeveritarë e lënë të hapur mundësinë e shqyrtimit për në një moment tjetër, kur të ardhurat ta justifikojnë. Ndërsa opozita vazhdon qëndrimin pro taksës progresive
Biznesi shqiptar mbron politikën fiskale të taksave të ulëta, duke e argumentuar si garanci për një ekonomi të qëndrueshme në vend dhe për nxitjen e investimeve të huaja. Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë e lënë të hapur këtë diskutim për një moment tjetër politik dhe ekonomik njëkohësisht. Presidenti i "Konfindustria Shqiptare", Hajredin Fratari, shprehet se politikat e ulëta fiskale kanë qenë të domosdoshme për zhvillimin e biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë në rajon. “Më shumë se asnjëherë, sot, në kushtet e krizës ekonomike botërore, Shqipëria ka nevojë për investime të huaja dhe është taksa e sheshtë në nivelin 10%, që po i afron këta investitorë, ndërkohë që në Europë taksat sa vinë e rriten. Biznesi nuk shikon si alternativë në përballimin e krizës rritjen e taksave, si po ndodh rëndom. Është kjo taksë që i bën nga viti në vit investitorët e huaj të kthejnë vëmendjen drejt Shqipërisë dhe investitorët vendas të ngrenë biznese të reja" – deklaroi Fratari. Duke argumentuar në këndvështrimin e ekspertit të ekonomisë, por edhe si përfaqësues i "Konfindustria Shqiptare", që është shoqatë e pavarur e sipërmarrësve të bashkuar shqiptarë të sferës së ndërtimit, prodhimit dhe ofrues të shërbimeve në Shqipëri, Fratari gjykon se është e nevojshme që taksat e ulëta mbi individët duhet të mbahen të tilla për vite me radhë. Në të njëjtën kohë, deputetë të mazhorancës, specialistë të fushës së ekonomisë gjykojnë se nuk është momenti për të aplikuar një sistem të ri të rritur taksash në vend. “Një rishikim i taksës së sheshtë, - shprehen ata për MAPO-n, - lihet i hapur për një kohë tjetër”. “Taksa e sheshtë është një taksë suksesi në vend, nga e cila janë shtuar të ardhurat në arkën e shtetit. Tani nuk është momenti për t’u riparë, por do të lindte nevoja atëherë kur të mungonin kapacitetet administrative. Madje, as politikisht nuk është momenti për t’u rishikuar një rritje e mundshme e nivelit të taksës së sheshtë”, – u shpreh për MAPO-n deputeti demokrat, njëkohësisht ekspert në fushën e financave, Sherefedin Shehu. Ai nënvizon se edhe politikisht nuk është momenti për t’u riparë mundësia e rritjes së taksës së sheshtë, duke marrë parasysh se kjo taksë ishte revolucioni i politikës fiskale të qeverisë ‘Berisha’ dhe vitit 2013 është një vit i rëndësishëm elektoral. Në të njëjtën kohë edhe Subi Hida mendon se taksa e sheshtë është një histori suksesi. “FMN nuk është hera e parë që propozon rritjen e taksës së sheshtë, por kjo taksë ka sjellë rezultate të drejtpërdrejta në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në këtë mënyrë nuk ka asnjë arsye që ajo të rritet. ”, - tha Hida për MAPO-n. Nga ana tjetër, zv.ministri Bozdo shprehet se taksa e sheshtë është një sukses i qeverisë aktuale dhe nuk mund të penalizohen individët me taksa të larta. Ndërsa opozita mbron idenë se arkës të shtetit do t’i shërbenin të ardhurat nga taksat e rritura.