E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit kërkojnë kontratë të veçantë me CEZ Shpërndarje

SHKRUAN: Sabina Veizaj 07-11-2011 14:19

Pritet që ERE të përfundojë hartimin e tri kategorive të ndryshme të kontratave përsa i përket marrëdhënies që do të rregullohet mes CEZ Shpërndarjes dhe familjarëve, biznesit në përgjithësi dhe ndërtuesve në veçanti

Ndërtuesit pritet të kenë një kontratë të veçantë që do të rregullojë marrëdhëniet e tyre me kompaninë CEZ Shpërndarje. Kërkesat e tyre do të diskutohen këtë javë në një tavolinë pune me Entin Rregullator të Energjisë. “Rasti ynë është specifik. Në fakt biznesi do të ketë kontratë më vete nga familjarët me CEZ Shpërndarje, por rasti ynë është ndryshe. Ne i kemi kërkuar ERE-s që të shqyrtojë këtë çështje dhe kërkesat tona. Ne kemi përgatitur një draft kontratë, pasi që nga implementimi i kontratës së vjetër kanë ndryshuar shumë gjëra dhe situata nuk është e njëjtë. Mbi të gjitha, aktualisht, shpërndarjen e zotëron një kompani private”- shprehet për MAPO-n, Avenir Kika, nënkryetari i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve. Sipas tij, është e rëndësishme të zgjidhet çështja e kostove dhe afateve në kontratë. “Deri kur shpërndarja e energjisë ishte në përgjegjësinë e shtetit ne i kemi falur shtetit mijëra euro. Sepse vetëm një kabinë elektrike për një pallat kushton 20 mijë euro, plus toka dhe shpenzimet e tjera. Këto kosto, ne ndërtuesit për vite me radhë ia kemi falur shtetit, por tanimë nuk mund t’ia falim CEZ Shpërndarjes. Prandaj kontrata mes ne ndërtuesve dhe CEZ duhet të shihet me përpikëri.”- argumenton Kika. Sipas tij, në kontratën e re me kompanitë e ndërtimit duhet të ketë një leje dhe afat për ndërtimin e kabinave, pasi marrëdhëniet me CEZ-in kanë qenë të vështira dhe me dëme financiare në aktivitetet e tyre, siç është prishja e makinerive. Sipas Kikës, përsa i përket kontratës së re mes familjarëve dhe CEZ, ajo është më e mirë se ajo aktuale, pasi merr parasysh shumë të drejta të konsumatorëve, por përsa i përket kontratës me ndërtuesit ajo do rinovuar, sepse kushtet e reja me të cilat po përballemi kanë ndryshuar. Ndërkohë, kontrata e re mes CEZ dhe konsumatorëve familjarë pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të 2012-s. Kontrata e re parashikon mbrojtje më të mirë konsumatorit, ku përcaktohet qartësisht një matje mujore dhe afati i dërgimit të faturës te konsumatori; një rregullim më i plotë i është bërë edhe mënyrës së pagimit të faturës së energjisë elektrike. E rëndësishme për konsumatorin është penaliteti për pagesë të vonuar, ku është zvogëluar kamatëvonesa nga 0.5% në ditë në 0.1% në ditë. Kjo me argumentin për të ulur detyrimin financiar të konsumatorit, dhe gjithashtu sepse kamata si mjet shtrëngimi për shlyerjen e detyrimeve në kohën e duhur, kur është e lartë shkakton efektin e kundërt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›