E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të punosh me një opozitë të fortë



Urimet për Kancelaren Angela Merkel nuk zgjatën shumë. Menjëherë pas rizgjedhjes, ajo korri shumë kritika nga opozita për stilin e saj drejtues. "Në më ndihmoftë Zoti!", - një fjali që Angela Merkel do ta shqiptonte për herë të dytë në fund të betimit të saj para presidentit të Parlamentit gjerman. Dy orë më parë kishte përfunduar procesi i votimit dhe Norbert Lammert, kryetari i Bundestagut, kishte prezantuar rezultatin: "612 vota janë dorëzuar, asnjë e pavlefshme, 323 anëtarë të Parlamentit kanë votuar pro, 285 kundër dhe katër kanë abstenuar". Një rezultat jo shumë i kënaqshëm, sepse sipas përllogaritjes, nëntë anëtarë të koalicionit qeverisës nuk ia dhanë votën 55-vjeçares me origjinë nga Gjermania Lindore dhe besim protestant. Mbasdite Merkel prezantoi para deputetëve dhe qeverinë e re të koalicionit të qendrës së djathtë. 15 ministra janë anëtarë të saj, 7 kristiandemokratë, 5 liberalë dhe 3 kristiansocialë. Qeveria nisi menjëherë nga puna qysh të mërkurën, por vetëm më 10 nëntor, Merkel do të dalë për herë të parë para deputetëve për të dhënë deklaratën e zakonshme zyrtare për punën e saj në katër vitet e ardhshme. Një fakt ky që i ka zemëruar anëtarët e opozitës: "Kjo do të thotë se deri atëherë për politikën e jashtme të qeverisë gjermane do të diskutohet në Bruksel dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është e drejtë, ne si opozitë në Parlament kemi të drejtë të sqarohemi për ato pika që nuk janë sqaruar në marrëveshjen e koalicionit dhe të mësojmë se deri ku shkon udhëtimi", - u ankua ish-ministri i Jashtëm, sot kryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Frank Walter Steinmeier, në një konferencë shtypi, vetëm disa minuta pasi e kishte uruar ish-shefen e tij për rizgjedhjen e saj.

Merkel u nis më pas për në Paris për t'u takuar (28.10.) me Presidentin Nicolas Sarkozy e më pas vazhdoi rrugën për në Bruksel, ku merr pjesë (29.10) në samitin e Bashkimit Evropian. Në fillim të javës së ardhshme, Kancelarja e rizgjedhur do të vazhdojë udhëtimin për në Uashington. Por, edhe Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar të partisë "E Majta", nuk i kurseu fjalët kritikuese ndaj Kancelares së porsazgjedhur: "Zonja Merkel është në gjendje të ndërmjetësojë, por jo të qeverisë. Asaj i mungon vullneti për të marrë vendime. Marrëveshja e koalicionit e dëshmon gjithashtu se mungon kuraja dhe vullneti për drejtësi tatimore. Parashikohet ulja e tatimeve, por jo rritja për shtresat që fitojnë mirë. Kjo do ta rrisë edhe më shumë përçarjen sociale", - thotë Gysi.

Këto kritika të opozitës i dhanë Kancelares përshtypjen e parë se si është të punosh me një opozitë të fortë, sepse me gjithë mosmarrëveshjet mes tyre, tri partitë opozitare e kanë një gjë të përbashkët: Ato të gjitha i përkasin kampit të majtë. E kjo është një risi për Kancelaren Merkel.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›