E Diel, 1 Nëntor 2026

Dragoti: Mjekët mbajnë peng fëmijët me probleme të zhvillimit mendor



Mjekët mbajnë “peng” trajtimin e fëmijëve me probleme të zhvillimit mendor, sipas psikologes së Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Riaftësimit të Fëmijëve, znj. Fiorda Dragoti. Sipas saj, në shumë raste mjekët duke tentuar të kenë një “monopol” në trajtimin mjekësor të këtyre fëmijëve, nuk i dërgojnë për kurim në qendrën e vetme kombëtare të specializuar në këtë fushë.

Zonja Dragoti thotë se “kërkohet nga të gjithë mjekët që të mos i mbajnë fëmijët si ‘monopol’, por t’i dërgojnë në qendër”. Sipas saj, të gjithë mjekët që vizitojnë fëmijët me probleme të tilla, kanë dijeni për trajtimet që kryen qendra, por në mënyrë të qëllimshme nuk i dërgojnë aty, duke i mbajtur për disa vite nën kontrollin e tyre.

“Fëmijët të cilët kanë probleme të zhvillimit mendor dhe fizik, nuk duhen trajtuar gjithmonë me ilaçe, pasi një pjesë e tyre nuk kanë nevojë për medikamente, por për trajtim”. Këtë e bën të ditur psikologia Fiorda Dragoti që punon në Qendrën Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Riaftësimit të Fëmijëve në kryeqytet. Sipas zonjës Dragoti, fëmijët nga 0-6 vjeç moshë zhvillimi mendor trajtohen në mënyrë të specializuar në qendër, pasi problemet e tyre janë afatgjata dhe nuk mund të zgjidhen vetëm me ilaçe. Qendra Kombëtare e Riaftësimit të Fëmijëve ofron të gjitha shërbimet e nevojshme që nevojiten për një trajtim të specializuar të përbërë nga mjekë pediatër, psikiatër, psikologe, punonjës socialë, pedagogë zhvillimi, ergoterapistë, fizioterapistë dhe të tjerë.

Ndërkohë, rezultatet e deritanishme të punës që ka kryer qendra më fëmijët kanë qenë të mira, madje sipas zonjës Dragoti “ka shumë fëmijë që mbas trajtimit kanë filluar menjëherë shkollën”. Arsye tjetër që prindërit nuk i sjellin fëmijët për t’i trajtuar, është se nuk kanë dijeni se ka një qendër që merret me fëmijët që kanë probleme të zhvillimit mendor dhe fizik. Shefja e shërbimit, Engjëllushe Paja, thotë se “ndërhyrja e hershme dhe në kohë jep rezultate më të mira në ecurinë e fëmijës”. Ndërsa psikologia Dragoti shprehet: “Mostrajtimi në kohë, pasi kanë kaluar moshën 4-5 vjeç, bën që problemi të jetë më i thellë për t’u trajtuar dhe handikapi të ketë avancuar”.

Por, në ndryshim nga vitet e tjera, sipas zonjës Paja, vitet e fundit, ka më shumë fëmijë më probleme të zhvillimit që i përkasin moshës 1-4 vjeç dhe kjo tregon se një ndërgjegjshmëri më të madhe nga prindërit. “Misioni i qendrës është të përmirësojë cilësinë e jetës së fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe të mbështesë jo vetëm emocionalisht familjet e tyre, por t’i ketë ato partnerë në rrugën e gjatë të riaftësimit, kujdesit dhe edukimit të këtyre fëmijëve”, - thotë Migena Kika, drejtoresha e QKMZHRF-së. Qendra trajton fëmijë nga e gjithë Shqipëria, nga 0-6 vjeç moshë zhvillimi mendor dhe është strukturë e Ministrisë së Shëndetësisë. Patologjitë që trajtohen janë: paralizat cerebrale, tetrapareza, hemipareza, diplegjia, atetoza, ataksia, prapambetja mendore, sindroma gjenetike si Down, Turner, autizmi, çrregullimi i vëmendjes së pamjaftueshme me hiperaktivitet (ADHD), çrregullimi i vëmendjes së pamjaftueshme etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›