E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Ulni interesat e kredive

03/02/2012  Kriza, komuniteti i biznesit kërkon bashkëpunim të politikës dhe votimin e ligjeve me 3/5

Nuk po reflektohet ulje të normës së interesit. Fullani: Bankat do ju mbështesin

Stabiliteti politik në vend dhe ulja e normës së interest të kredive do të ndikojë në kapërcimin me sukses të krizës financiare. Kjo ka qenë kërkesa e bërë dje nga Luan Bregasi, kryetar i shoqatës së Business Albania, në konferencën për “Zhvillimin e Ekonomisë dhe Bizneseve të vogla e të mesëm në kushtet e krizës dhe prezantimi i mundësive të reja”. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Bregasi i bëri thirrje përfaqësuesve të politikës që të gjejnë mirëkuptim për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke kontribuar kështu në mbështetjen e biznesit shqiptar, aq më tepër sot në kushtet e krizës ekonomike. "Qeveria duhet të bashkëpunojë më shumë me komunitetin e biznesit për hartimin dhe miratimin e ligjeve", deklaroi ai. Sipas tij, nga kriza ekonomike mund të përfitohet, ndaj duhet bashkëpunim me të gjithë aktorët për të gjetur rrugë të reja për të përfituar nga kjo mundësi. "Stabiliteti politik brenda vendit dhe mbështetja e institucioneve financiare janë faktorë kryesorë për të përballuar krizën", tha Bregasi. Duke përshëndetur vendimin e BSH-së për uljen e normës bazë të interesit për lekun, Bregasi tha se, kjo masë nuk po reflektohet ende nga bankat tregtare dhe kërkoi të rritet roli i BSH-së në monitorimin e kostove të produkteve bankare dhe kreditimi të shtojë frymëmarrjen ndaj biznesit. Në kuadër të mbështetjes së biznesit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e cilësoi atë si faktor të rëndësishëm në përballimin e krizës ekonomike dhe që kontribuon në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Guvernatori theksoi se Banka Qendrore ka ditur të mbajë me kujdes nën kontroll parametrat makro- ekonomik të vendit dhe treguesit e domosdoshëm për rritjen ekonomike të vendit. Kreu i sistemit bankar në vend konfirmoi se bankat janë të përgatitura dhe të gatshme për tiu përgjigjur tregut kreditues. Sistemi bankar është likuid dhe ka kapitale të mjaftueshme për të mbështetur ekonominë e vendit", tha Fullani. Gjithashtu, kreu i BSH-së, kërkoi që mes biznesit dhe bankave të gjenden rrugët e bashkëpunimit. Sipas Fullanit, çdo kërkesë për kredi nga ana e biznesit duhet të jetë e mirë studiuar, ndërsa premtoi se bankat e nivelit të dytë pritet të reflektojnë në ditët në vijim për uljen e interesave të kredive.

Monitorimi i situatës

Shoqatat e biznesit i kërkojnë Bankës së Shqipërisë të monitorojë situatën e krijuar nga bankat e nivelit të dytë, por edhe të ndikojë për një transparencë më të madhe, pasi shumë prej produkteve bankare kanë kosto të fshehura që dëmtojnë konsumatorët dhe në veçanti biznesin shqiptar.

Sfida e vitit

Viti 2012 do të jetë një sfidë e madhe për ekonominë shqiptare, e cila jo vetëm është e përgatitur për ti bërë ballë krizës, por dhe do të prodhojë rritje ekonomike, duke u mbështetur në zhvillimin e avantazheve krahasues të ekonomisë që të gjejë mundësi për të përfituar nga ekonomitë e tjera.

Rezistenca ndaj krizës

Shqipëria dhe Polonia janë vendet e vetme në Evropë që i bënë ballë krizës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, deklaroi dje se këto dy vende arritën të rezistojnë përballë krizës financiare si dhe janë në rrugë të mbarë për të vijuar me rritje ekonomike edhe gjatë këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›