Biznesi, apel Kuvendit
Në emër të 35 organizatave të biznesit dhe të shoqërisë civile që bëjnë pjesë në koalicionin e përkrahjes së gjykatave administrative, i kërkon Parlamentit shqiptar që të marrë në shqyrtim në seancë plenare dhe të miratojë sa më shpejt ligjin për gjykatat administrative, duke qenë se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë. “Duam të theksojmë se projektligji për gjykatat administrative që ka në dorë Parlamenti shqiptar gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit të biznesit dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Europian dhe qeveria amerikane”, thuhet në deklaratën e publikuar dje nga koalicioni. Ngritja e gjykatave administrative do të sjellë përfitime konkrete dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për bizneset, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. “çdo vonesë e mëtejshme në miratimin e projektligjit për gjykatat administrative do të thotë akoma më shumë kosto shtesë dhe energji të humbura për bizneset dhe për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratë.
#