Preç Zogaj, një libër për politikën
Në një takim me njerëz të letrave dhe me mediat, Preç Zogaj ka promovuar librin e ri “Të gjithë nëpër vendet e tyre”. Ky libër mbart në vetvete dimensionin letrar dhe angazhimin politik të Preç Zogajt. Nga pozicioni i protagonistit, Zogaj rrëfen ngjarjet politike të viteve 2005-2009 në Shqipëri. “Vetë jeta ime profesionale është ndarë midis gazetarisë dhe letërsisë. Duke qenë i angazhuar në politikë unë e kam parë më afër këtë situatë gjatë katër viteve. Ky libër ka qenë një mision, mbase duket një fjalë e madhe, por në të vërtetë duke qenë i angazhuar dhe aktor i jetës politike, jam munduar të dokumentoj historinë apo kronikën e saj. E kam ndier si detyrim të shkruaj për zhvillimet politike dhe së bashku me kolanën artistike, kam edhe kolanën time të librave politikë”. Zogaj ka theksuar më tej se ka ndjekur linjën kronologjike të ngjarjeve, duke përfshirë në këtë libër disa nga zhvillimet më të rëndësishme të katër viteve. “Në rastin e fundit kemi të bëjmë me disa procese që kanë sjellë shpërbërjen e spektrit politik në disa aspekte. Kjo është një dukuri së cilës i janë bërë shumë analiza, jo vetëm nga unë, por edhe nga figura të shquara të politikës”, ka theksuar autori. Sipas tij, jeta politike shqiptare na tregon se akoma nuk është stabilizuar me kuptimin klasik të fjalës, ka shumë kryqëzime mbi të djathtën dhe të majtën. Zogaj ka shtuar se “ky libër tenton të sjellë disa fakte, nuk pretendoj se kam sjell botim shfrenues të këtij fenomeni. Përmes fakteve, kam ndërtuar një fabul të lëvizjes së gjallë politike gjatë këtyre viteve”. Analisti Henri çili theksoi se elementi kryesor i këtij libri është fakti që ka një autopsi të fenomenit politik shqiptar, i cili shpesh herë është i mbuluar nga marrëdhëniet publike, nga zhurma, propaganda dhe nga axhenda e ngjarjeve.
#