Biznesi apel Qeverisë, miratoni Gjykatën Administrative
Fabiola Çela
Biznesi i ka bërë sërish apel Qeverisë që të miratojë sa më parë projektligjin që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Administrative. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me drejtuesit e shoqatave të biznesit, drejtoresha e misionit të USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney, tha se: "Tani varet kryesisht nga ju, që t'i bëni vendim-marrësit t'i vënë në jetë planet për krijimin e Gjykatës Administrative si një institucion, nga i cili do të përfitojnë komuniteti i biznesit, institucionet publike dhe të gjithë qytetarët".
Gjykata
Prej kohësh biznesi e ka kërkuar me ngulm krijimin e Gjykatës Administrative, e cila do të merret vetëm më çështjet e biznesit. Dje përfaqësues të biznesit në vend kërkuan që parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe që pritet të mblidhet të hënën, të miratojë sa më shpejt projektligjin "Për Gjykatën Administrative". "P/ligji Për Gjykatat Administrative ka për qëllim të krijojë një sistem që do të shërbejë si mekanizëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të së gjithë shtetasve shqiptarë lidhur me çështjet administrative, përmes një procesi të rregullt e korrekt dhe brenda afateve të arsyeshme", tha Mahoney. Sipas saj, krijimi i një sistemi efikas të Gjykatave Administrative do të shërbejë si një shtysë e fortë për përmirësimin e shërbimeve të administratës publike. Me miratimin e p/ligjit, USAID do të punojë me qeverinë shqiptare dhe sistemin e drejtësisë për ngritjen e këtyre gjykatave, në kuadër të Marrëveshjes të Korporatës të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II. Në projektligj parashikohet edhe shkurtimi i kohës për gjykimin e çështjeve administrative nga 130 ditë në gjykatën e shkallës së parë në një maksimum prej 60 ditësh, si dhe shkurton në 10 ditë kohën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Administrative. Projektligji për GJA u përfshi në rend të ditës në seancën parlamentare më 11 maj, si dhe në atë të jashtëzakonshmen në datë 15 maj të vitit 2009. Deputetët socialistë nuk morën pjesë në këto dy seanca, prandaj dhe p/ligji nuk u hodh për votim. Hyrja në fuqi e këtij p/ligji, si një ligj organik, kërkon shumicë të cilësuar në Parlament, që do të thotë 84 pro nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.