Kolaudimi i makinave, nuk do ndryshohen tarifat
Ministri Olldashi ka firmosur dje kontratën për dhënien me koncesion të Drejtorisë së Kolaudimit të Makinave. Sipas ministrit, tarifat e kolaudimit do të vazhdojnë të jenë të njëjta. Kompania zvicerane "Societe Generale de Surveillance" (SGS) do të kryejë për 10 vjet në Shqipëri shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio, kundrejt pagesës prej 5 % të së ardhurave në llogari të buxhetit të shtetit shqiptar. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe zv/presidenti i kompanisë "SGS", Jacques Vollenweider, nënshkruan dje marrëveshjen koncesionare, përmes së cilës kompania zvicerane angazhohet për një shërbim me standarde evropianë dhe rritjen e sigurisë së automjeteve në rrugë. "Përfitojmë nga rasti të njoftojmë të gjithë përdoruesit e mjeteve se shërbimi i kontrollit teknik të detyrueshëm i mjeteve do të vijojë të kryhet sipas procedurave normale në të gjithë qendrat e kontrollit teknik, sipas tarifave aktuale dhe në çdo rast MPPTT-ja, do të komunikojë gjatë gjithë periudhës 5-mujore të parashikuar në kontratë për kryerjen e investimit paraprak, për pezullime eventuale shërbimi në pika të veçanta kontrolli nëse do të jetë e domosdoshme, me qëllim kryerjen e investimeve të parashikuar në 14 qendrat. (Nga vlera e investimit prej 561.003.000 lekë)", u shpreh ministri. Në këtë drejtim, Jacques Vollenweider shtoi se, "SGS" do të realizojë edhe rinovimin e qendrave aktuale të kontrollit teknik dhe ngritjen e një rrjeti të mirintegruar të qendrave në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, "sistemi i ri i kontrollit do të jetë elektronik, i automatizuar dhe do të ofrojë siguri dhe saktësi maksimale testimi". "SGS" u shpall fituese e tenderit për marrjen me koncesion të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkio në muajin dhjetor 2008 dhe më pas vijuan negociatat për kontratën koncesionare. Në tender u paraqitën dy kompani. Kompania franceze "Sas Sakar" dhe ajo zviceriane "SGS".