Ulqinaku: Ju tregoj "Banorët e shkallës 5"
Ata ruhen nga të gjithë e flasin për të gjithë. Janë banorët e një pallati, gjatë viteve të diktaturës, që rrojnë me frikën e spiunimit dhe dënimit. "Banorët e shkallës 5" është komedia e autorit shqiptar Kin Dushi, e cila do të ngjitet në skenë nga regjisorja Sonila Ulqinaku, gjatë ditëve të festivalit të së rinjve. Ulqinaku tregon përse ka zgjedhur këtë vepër dhe si do ta shfaqë për publikun edhe në sheshet e kryeqytetit.
Po punoni mbi një komedi të Kin Dushit, përse kjo zgjedhje?
Gjatë viteve të fundit kam dëgjuar kaq shpesh që nuk kemi autorë shqiptarë, që janë të vakët, etj., si këto. Para dy vjetësh vendosa të bëj një kërkim në arkivin e veprave shqiptare, për të lidhur epokat. Vepra e parë, që vendosa të punoj ishte "Pas vdekjes" dhe "14 vjeç dhëndër" të Çajupit, në një formë krejt të re, "Comedia dell'arte". Puna për rreth dy muaj me këtë shfaqje, që u titullua "Kujtime nga Çajupi" erdhi përpara spektatorit në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, u kurorëzua me shumë sukses dhe mori çmime në festivale profesionistësh, megjithëse ishte nga aktorë krejtësisht të rinj. Në vazhdimin e kërkimit, ndalova tek "Banorët e shkallës 5". Një komedi situatash. Më intrigoi shumë. Dialogët vinin bukur, personazhet të krijuar qartë. Një epokë që na habit, intrigon dhe pasojat e saj i jetojmë sot. Një sfidë për të provuar forma të artit, që ndoshta do të kishin dashur autorët e atëhershëm të provonin, por sistemi nuk i lejoi. Shfaqja do të vijë në grotesk. Është e ripunuar dhe ka dhe një personazh të shtuar, "komandanti", ose lideri i sistemit, i cili do të vijë vetëm me tinguj dhe gjeste. Dy duar dhe një kokë. Ngjarje që ndodhin në sistemin e atëhershëm, por parë me sytë tanë.
Sa e vështirë është të punosh mbi një vepër të shkruar dekada më parë?
Të kërkosh forma të reja në teatër, për të qenë sa më pranë shijeve të publikut është, besoj, qëllimi i çdo regjisori. Kështu që, çdo vepër ka vështirësitë e veta. Për veprat e shkruara dekada më parë, volumi i kërkimeve për epokën është ajo që e shton vështirësinë, vëzhgimi sesi kanë lëvizur gjërat dhe arritja e harmonizimit të formës së vendosur me përmbajtjen e tekstit të shkruar atëherë.
Mendohet që vepra të shfaqet dhe në hapësira publike, përveç TK-së, si do të realizohet kjo?
Unë besoj se mision i Teatrit në këto momente është të zbresë tek publiku. Pas premierës dhe Festivalit të Regjisorëve të Rinj, do të jetë dhe dy javë punë për përshtatjen e shfaqjes për hapësirë pa mure dhe publik të gjerë. Në dhjetor do të fillojmë udhëtimin.
Sapo zhvilluat një audicion për përzgjedhjen e aktorëve, përse kjo formë dhe jo mbi bazën e preferencave, siç edhe ndodh rëndom?
Unë besoj se audicioni është mënyra më e mirë për të dhënë mundësi të reja, zbuluar këto mundësi dhe zhvilluar ato. Arti nuk duhet të kufizohet. I falënderoj të gjithë ata aktorë që zhvilluan audicionin. Tashmë emrat që do të luajnë në këtë shfaqje janë Devis Muka, Albano Bogdo, Ermira Hysaj, Xheni Demi, Lisa Kujovsa, Klodian Hoxha, Andi Begolli dhe Fredi Zeneli. Skenografia & kostumet nga Klajd Kapidani, muzika nga Fabian Asllani
Pas Çajupit dhe Dushit, ndonjë tjetër autor shqiptar?
Do të pasojnë të tjerë autorë pas kësaj shfaqjeje. Përsëri shqiptarë, për të krijuar një repertor e për të treguar identitetin tonë kudo që të shkojmë jashtë Shqipërisë, jo me figura të huazuara nga letërsia botërore, por me personazhe që i njohim dhe i jetojmë pranë nesh çdo ditë.