Biznesi australian shpreh interes për të shtrirë investimet në Shqipëri

Kryeministrit Berisha takon më zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles duke e vlerësuar këtë vizitë si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe frytdhënës.
Zëvendësministri i Jashtëm i Australisë, Marles falënderoi me shumë mirënjohje Kryeministrin Berisha për këtë pritje të ngrohtë e miqësore, si dhe i konfirmoi atij vullnetin e qeverisë dhe të vendit të tij për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes reciprok. Në këtë kontekst, fusha si ajo e kulturës, bujqësisë, industrisë minerale, etj., u konsideruan si sektorë ku pritet të zgjerohet bashkëpunimi dypalësh.
Ndërkohë, u vlerësua fakti që një numër kompanish dhe investitorësh australianë kanë shprehur interes për të sjellë investimet e tyre në Shqipëri. Kryeministri Berisha e falënderoi Marles për mbështetjen që qeveria e tij po i jep Shqipërisë me disa projekte konkrete, në veçanti, me ato në fushën e bujqësisë, në konsolidimin e kuadrit ligjor, në kuadër të iniciativës për forcimin e eficencës dhe transparencës në fushën e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të burimeve minerale (EITI - Extracting Industry Transparency Initiative). Në këtë kontekst, u konfirmua vullneti i plotë i të dy palëve për të plotësuar kuadrin ligjor mes të dy vendeve, si një faktor i rëndësishëm për mbështetjen dhe nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm.
Më tej, në takim u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë që të dy vendet kanë zhvilluar në kuadër të ISAF-it në Afganistan dhe kontributin e rëndësishëm që trupat e të dy vendeve japin për konsolidimin e paqes dhe lirisë në këtë vend.
Topalli-Marles: Shqipëria, i vetmi vend në Evropë që nuk ka rënë në recesion
“Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet prej disa vitesh, pavarësisht se është e rrethuar nga vende në krizë ekonomike”. Kështu u shpreh dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit të zhvilluar me zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles. Dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se kjo vizitë është një pikënisje për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve si dhe nxitjen e nënshkrimit të memorandumeve e marrëveshjeve të bashkëpunimit. “Së pari, dua t’iu them se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është hera e parë që vij këtu dhe impresioni është shumë pozitiv. Duke lexuar mbi të kaluarën tuaj të vështirë, jam i bindur dhe konfirmoj se ju keni lënë pas gjurmët e errëta të regjimit komunist që keni përjetuar dhe jeni në rrugën e përparimit të shpejtë”, u shpreh Marles.
Ai tha se në Australi jeton dhe një komunitet shqiptar, i cili në vlerësimin e tij ka ndikuar në njohjen e traditave dhe kulturës shqiptare atje.
Kryetarja Jozefina Topalli njohu Marles me arritjet dhe reformat e suksesshme që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, investimet në infrastrukturë, turizëm, dixhitalizim, e veçanërisht në fushën e ekonomisë ku dhe shprehu interesin për nxitjen e investimeve australiane në vendin tonë. “Ne jemi në rrugën e transformimit. Shqipëria, një vend i rrethuar nga kriza, falë filozofisë së suksesshme të reformave nuk ra në recension dhe është i vetmi vend në Europë që vijon prej disa vitesh resht të shënojë rritje ekonomike. Potencialet dhe resurset shqiptare janë një mundësi reale për shndërrimin e investimeve në histori suksesi, falë dhe klimës së favorshme që qeveria shqiptare ofron në mbështetje të investitorëve të huaj”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Duke vlerësuar ekspozenë e bërë nga Kryetarja e Kuvendit për performancën ekonomike të Shqipërisë, zëvendësministri Marles tha se, “ju keni një histori të mirë ekonomike për t’ia treguar vendeve të Europës por edhe më gjerë. Keni shumë për të thënë mbi këtë sukses dhe ky është një oportunitet për të cilin edhe investitorët australianë duhet të inkurajohen”.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Australia ka dhënë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duke theksuar se vendi tani është i orientuar drejt integrimit europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një proces i merituar, Shqipëria ka një kontribut të rëndësishëm në misionet e sigurisë që Aleanca ka në vende të ndryshme të botës, dhe është në të njëjtën anë të tryezës me Australinë për rolin e saj të rëndësishëm në këto misione”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Richard Marles.