Reforma në gjyqësor, e rëndësishme për integrimin e vendit dhe thithjen e investimeve të huaja

USAID organizon Konferencën e Lidershipit të Gjyqësorit në Shqipëri
Kryetarët e të gjitha gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apelit në Shqipëri u mblodhën për të diskutuar bashkërisht mbi nismat e USAID-it dhe donatorëve të tjerë që synojnë përmirësimin e punës së gjykatave shqiptare.
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Alexander Arvizu, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, Kryeinspektorja e KLD-së, Valbona Vata, Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mbajtën fjalimet përshëndetëse në hapje të konferencës. Për të gjithë kryetarët e gjykatave shqiptare në nivel rrethi gjyqësor e apeli, konferenca njëditore ishte një mundësi mjaft e mirë për të diskutuar mbi ecurinë e reformave drejt përmirësimit të menaxhimit në gjykata dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira në këtë fushë.
Diskutimet e zhvilluara në panele vunë theksin tek avantazhet që sjell teknologjia dixhitale e regjistrimit audio në drejtim të përmirësimit të transparencës në seancat gjyqësore.
Në lidhje me garantimin e një proces të drejtë dhe reduktimin e ngarkesës në gjykata, në prezantimet e mbajtura u përshkruan instrumente të ndryshme që mund t’u vijnë në ndihmë gjyqtarëve për të menaxhuar në mënyrë aktive të gjitha aspektet që lidhen me çështjet e tyre gjyqësore. Këtu përfshihet dhe shërbimi i ndërmjetësimit si një alternativë jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Muajin e kaluar, USAID përfundoi instalimin e sistemit dixhital të regjistrimit audio në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe po vazhdon punën për ta shtrirë këtë teknologji në çdo sallë gjyqi në Shqipëri. Gjatë vitit të kaluar, USAID ngriti dy qendra ndërmjetësimi pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Korçë dhe Durrës.